Kosovës nuk i ka bërë punë as “Home Sweet Home” në garën për “Oscar”.

20161217132316413646

Filmi me të cilin vendi ia ka mësyrë për të tretën herë çmimit prestigjioz, ka mbetur jashtë listës prej nëntë sosh, që të premten janë përzgjedhur për të kaluar në fazën e radhës, shkruan sot Koha Ditore. Sivjet, një numër rekord prej 89 shtetesh kanë synuar “Oscarin” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj (joanglisht), prej të cilëve 85 i kanë plotësuar kriteret.

Nëntëshja e atyre që ende kanë shanse, përfshin filma të njohur, të cilët kaherë përmenden si favoritë. Njëri prej tyre është kandidati i Gjermanisë, “Toni Erdmann” me skenar dhe regji të Maren Ades, i cili, ndër të tjera, javën e kaluar mori pesë çmime në “European Film Awards” të mbajtur në Wroclaw të Polinisë përderisa Ade hyri në histori si femra e parë që merr trofeun për regjinë më mirë në historinë 29-vjeçare të EFA-s.

Në garë është edhe një film i animuar, “My Life as a Zucchini” i Zvicrës. Suedia do ta vazhdojë garën me “A Man Called Ove”, Kanadaja me “It’s Only the End of the World”, Danimarka me “Land of Mine”, Rusia me “Paradise”, Australia me “Tanna”, e Norvegjia me “The King’s Choice”. Irani konkurron me filmin “The Salesman”, të Asghar Farhadi, i cili në sirtarin e tij tashmë ka një “Oscar” të cilin e mori më 2012 me filmin “A Separation”. Pesë nominimet finale prej këtyre filmave do të publikohen më 24 janar.

Dy javë më parë ekipi i filmit “Home Sweet Home” me skenar të Zymber Kelmendit nën regji të Faton Bajraktarit ka qenë ende në kërkim të mjeteve financiare për fushatën që ishte llogaritur të kushtojë rreth 100 mijë euro.

Prej kësaj shume, deri në fund të nëntorit shteti ka ndarë 20 mijë euro nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës, e cila ka subvencionuar edhe realizimin. U ishte adresuar me kërkesë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komunës së Prishtinës, Komunës së Mitrovicës dhe zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi. Ajo që ishte arritur të bëhet për promovimin e këtij filmi kanë qenë dy shfaqje para anëtarëve të Akademisë që organizon ceremoninë.

Në fillim të muajit të kaluar ishte shfaqur në sallën e Akademisë që ndan çmimet “Oscar” në Hollywood dhe në “Beverly Hills Wilshire – Screening Room” në Beverly Hills. Filmi debutues i Bajraktarit sjell rrëfimin e Agronit (Donat Qosja), një ish-ushtar i UÇK-së, për të cilin mendohej se kishte vdekur. Në emër të tij, familja përfitonte të ardhura e bashkëshortja e tij, Hana (Arta Muçaj), kishte zënë një vend pune. Shoku i tij i luftës, Bashkimi (Shkumbin Istrefi) ia kishte organizuar edhe një akademi përkujtimore. Pasi që bëhet i gjallë, Agroni detyrohet të ngujohet në shtëpi që të mos ua prishë pazaret e pasluftës miqve dhe familjes. Kur hipokrizia arrin kulmin, filmi mbetet i hapur ashtu siç e lë Agroni dritaren e shtëpisë së tij.

Filmi “Home Sweet Home” është shfaqur në kinemanë e vetme të kryeqytetit nga dita e parë e shtatorit. Premierën vendore e kishte pasur në prill në kuadër të “PriFilmFest”. Në korrik e pati premierën ndërkombëtare në Festivalin e filmit në Karlovy Vary. Filmi qe në konkurrencën zyrtare në kategorinë “East of the West”.

Në mesin e muajit shtator “Home…” pa kundërkandidat u bë propozimi i Kosovës për “Oscar”. Kishte qenë i vetmi që i ishte përgjigjur thirrjes së QKK-së për aplikim dhe Komiteti i kryesuar nga Eshref Durmishi, producent i filmit “Shok” – që vitin e kaluar u bë nominimi historik i Kosovës për “Oscar” – bashkë me anëtarët Agron Vula, Lendita Zeqiraj, Doruntina Basha, Kaltrina Krasniqi, Liridon Cahani dhe Imer Mushkolaj. Më 2015 midis “Babait” të Visar Morinës dhe “Azemit”, me skenar e regji të Rrahman Fetahut, Komiteti kishte zgjedhur të parin si propozim për nominim nga “Academy Awards”. Edhe më 2014 kishin aplikuar vetëm dy filma. Midis “Heroit” të Luan Kryeziut dhe “Tri dritare dhe një varje” të Isa Qosjes, qe propozuar ky i fundit. Edicioni i 86-të i “Acedemy Awards” do të mbahet më 26 shkurt.

SHPËRNDAJE