Një intervistë ndryshe… Me kujtime e përjetime të tjera të Këngëtares së famshme kosovare, Genta Ismajli. Aktualisht ndodhet në Amerikë, si pasojë e disa koncerteve që do të mbajë atje, e pikërisht nga vendi ku ka kaluar vitet e gjimnazit është rrëfyer për “Gazeta Shqiptare”. Si ka qenë adoleshenca e yllit kosovar, lëndët e preferuara, marrëdhënia me shokët e shoqet e klasës, ngacmimet, lidhja dhe puthja e parë.

Si i kujton vitet e gjimnazit?
I kujtoj padiskutim me shumë nostalgji. Gjimnazi shënon një nga periudhat më të bukura në jetën time. Kam qenë pikërisht në gjimnaz, ndërsa të afërmit e mi, më shtynë t’i futesha seriozisht rrugës së muzikës, në të cilën aderoj tashmë prej 9 vitesh. Janë padiskutim të shumta momentet që më vijnë në mendje nga ajo kohë. Kujtoj eksperimentet në klasë, sidomos ato në orën e biologjisë që më pëlqenin shumë, sekretet mes shoqeve, argëtimet në party e shumë e shumë kujtime të këtij lloji.
E ke ndjekur në Amerikë gjimnazin? Sa të vështira kanë qenë mësimet?
Po është e vërtetë gjimnazin e kam bërë në Amerikë. Mësimet nuk ishin dhe shumë të vështira dhe për këtë mendoj se ka ndikuar mjaft edhe metoda e mësimdhënies.
Cila ishte lënda juaj e preferuar?
Lëndët e preferuara ishin orët e artit, më pëlqente shumë sporti, dhe siç e thashë biologjia më ka pëlqyer mjaft.
Po ajo që nuk e duronit dot?
Për çudinë time, duke qenë se pëlqeja shumë biologjinë, nuk kam pasur një marrëdhënie të mirë më kiminë. Përgjithësisht në lëndët shkencore nuk kam qenë fort e mirë, megjithatë përpiqesha mjaft për të arritur rezultate të mira.
Sa orë në ditë mësonit?
Mësoja disa orë në ditë, ndoshta 2 ose 3 maksimumi. Nuk i përkushtohesha shumë studimit. Përpiqesha të isha e vëmendshme gjatë shpjegimit dhe shumicën e gjërave i fiksoja që në klasë.
Çfarë notash merrnit zakonisht?
Nuk mund të them që kam qenë nxënëse e shkëlqyer, megjithatë kam shkuar mirë në mësime. Në Amerikë vlerësimet janë me shkronja dhe nivele. Unë isha midis vlerësimeve të A-së dhe B-së.
Flet sot me shokët e shoqet e gjimnazit?
Me disa prej tyre i ruaj ende kontaktet dhe megjithëse takohemi rrallë konsumojmë ngjarjet më të rëndësishme të jetës sonë sa herë takohemi.
Ç’marrëdhënie ke pasur me mësueset?
Mësueset më kanë dashur shumë dhe unë i kam dashur po aq. Kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë sepse unë gjatë shpjegimit qëndroja urtë.
Çfarë ëndërroje të bëheshe kur ishe në gjimnaz, për çfarë doje ta ndiqje universitetin?
Gjithmonë synimet e mia për të ardhmen lidheshin me artin. E kam imagjinuar gjithmonë veten mbi skenë. Në rast se kënga ose baleti nuk do të ishin pjesë e të ardhmes sime, me siguri do të isha marrë me sport.
Të kanë pas ngacmuar djemtë?
Djemtë më kishin pak frikë. Përveçse isha “shok” për ta, të gjithë e dinin që s’më pëlqenin shumë këto gjëra. Megjithatë edhe unë nuk i kam shpëtuar ngacmimeve, ka pasur plot djem të klasave paralele që më kanë ngacmuar, me disa prej tyre edhe kam dalë.
Në çfarë moshe ke hyrë për herë të parë në një lidhje?
Nuk di ta them me siguri moshën, ama me siguri mund të them që kanë qenë vitet e fundit të gjimnazit, kështu që llogaritë bëjini vetë.
Kur e ke dhënë puthjen e parë?
Në po të njëjtat vite. Besoj se të gjithë të rinjtë përjetojnë një histori dashurie, nëse mund të quajmë të tillë gjatë viteve të gjimnazit.

SHPËRNDAJE