Një shi i bezdisshëm nuk e ka shqetësuar aspak kombëtaren portugeze në seancën e fundit stërvitore, në prag të ndeshjes së sotme kundër Çekisë. Trajneri Paulo Bento ka kërkuar nga futbollistët e tij që ta vlerësojnë në maksimum kundërshtarin, që pavarësisht se nuk është ai i 8 viteve më parë, mbetet tepër i rrezikshëm në ndeshje me eliminim. Portugalia kërkon të përsërisë historinë e vitit 2004, kur ajo shkoi deri në finale të Europianit, ndonëse rruga këtë vit duket disi më e vështirë. Nëse arrin të fitojë ndaj Çekisë, asaj i duhet të ndeshet me fituesin e çiftit Francë-Spanjë, ç’ka do thotë se ekipi kundërshtar do të jetë një gjigand i kontinentit. Gjithsesi, fitoret me Danimarkën dhe Holandën kanë rikthyer besimin te lojtarët, të cilët tashmë janë optimistë se mund të shkojnë larg. Një pjesë e tyre kanë qenë pjesë e skuadrës që në kohën e trajnerit Skolari, i cili arriti ta ngrejë Portugalinë në nivelet e larta të futbollit europian e botëror. Me rikthimin e Ronaldos te goli dhe me Nanin që po përshtatet gjithnjë e më shumë me ekipin, tashmë luzitanët duken një ekip i frikshëm për këdo.

SHPËRNDAJE