Kryeministri Thaçi, ka njoftuar se të shtunën do të bëhet inaugurimi i përfundimit të punimeve të 38 kilometrave të parë të autostradës Vërmicë-Merdarë. Thaçi tha se autostrada, përveç që është shumë moderne, është edhe e standardit të lartë perëndimor.

http://www.botasot.info/img/9.11qeveria.jpg“Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për këtë projekt të rëndësisë madhore, që do ta bëjmë inaugurim të shtunën” tha kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, për ndërtimin e mëtutjeshëm të saj, nga Buxheti i Kosovës për vitin tjetër, janë ndarë edhe 296 milion euro, theksoi Thaçi.

Poashtu, kryeministri Thaçi falënderoi të gjithë deputetët për debatin konstruktiv, të përgjegjshëm dhe korrekt në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me debatin për Raportin e Progresit.

Ai tha se të gjitha rekomandimet që kanë dalë nga secili deputet, “do të merren me seriozitetin më të lartë, në mënyrë që të punojmë për reformat shtesë demokratike, qoftë në ekonomi, qoftë në politikë, qoftë në legjislacion”.

Në këtë mbledhje të Qeverisë, u miratua edhe Projektligji për Arkivat, që rregullon detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve arkivore, Projektligjet për Parqet Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”.

Qeveria ndau 200 mijë euro për Komunën e Deçanit, për projektin kapital “Ndërtimi i rrugës në Maznik”, si dhe 146 mijë euro për Ministrinë e Diasporës, për organizimin e aktiviteteve –Ditët e Kulturës Kosovare në Belgjikë e Zvicër.

Qeveria ka vendosur që zëvendëskryeministri Slobodan Petroviç të udhëheq Grupin Punues për reformimin e Komisionit Qeveritar të Gjuhëve dhe krijimin e politikave të përdorimit të gjuhëve në Republikën e Kosovës.

SHPËRNDAJE