Piloti ushtarak serb, Damjan Uzelac, i cili u bë i njohur kur lideri libian, Muamar Gadafi, e përmendi në një intervistë për televizionin serb TV Pink, thotë gjatë 25 vjetëve të kaluara në Libi është miqësuar me Gadafin dhe është bindur se ai i adhuron serbët.

Gadafi në intervistë tha se “Piloti Danijel”, duke menduar në Damjan Uzelacin, është treguar si hero, pasi nuk ka dëshiruar ta tradhtojë. Shumë e kanë cilësuar këtë pilot si “njeri i besueshëm i Gadafit”, dhe një nga mercenarët serbë që po luftojnë për liderin libian. Uzelac thotë se 25 vjet ka punuar në Libi si inxhinier i aeroplanëve dhe është bindur sesa Gadafi adhuron serbët, transmeton Press.

Gadafi kishte thënë për TV Pink se opozita libiane i kishte ofruar miliona dollarë pilotit serb që në një televizion arab të akuzonte regjimin në Tripoli. “Ata dëshironin ta korruptonin për të thënë se Libia ka kërkuar që qytetarët e saj të sulmohen nga ajri. I thanë: ‘Thuaj këtë e pastaj do të marrësh paratë’”, ka thënë Gadafi. Por, piloti serb kishte refuzuar këtë.

Shumë medie botërore kanë pohuar se “qentë serbë të luftës” luftojnë për Gadafin dhe për këtë marrin shumë para, dhe “piloti Danijel” është përgjegjës për sjelljen e tyre.

SHPËRNDAJE