Gabimi i një piloti në një avion “Airbus A321” për pak i kushtoi jetën 223 pasagjerëve të linjës Mançester-Kretë, raportuan mediat britanike.

Në llogaritë e kryera përpara ngritjes në fluturim, piloti gaboi dhe llogariti peshën e avionit të mbingarkuar me 17 ton më pak.

Në kushte normale, nisja e avionit do të kryhej vetëm pasi të hiqej një sasi karburanti apo bagazhesh, për ta çuar atë në parametrat normalë të nisjes.

Megjithatë, kur pilotët e kuptuan gabimin ishte tepër vonë, pasi avioni kishte marrë vrull dhe kishte kaluar pikën në të cilën ngritja mund të anullohej.

Në një veprim të shkëlqyer pilotimi, ndihmëspiloti veproi duke marrë vetë në dorë komandën e fluturimit, për të reduktuar këndin e ngjitjes, çka bëri të mundur një ngjitje më graduale, por të sigurt.

Megjithatë, shkëputja nga toka ndodhi vetëm disa metra përpara se pista e aeroportit të Mançesterit të përfundonte. Nëse kundëreagimi nuk do të kishte ndodhur në kohë, atëherë “Airbus” do të kishte rënë në një hendek dhe me të gjithë sasinë e karburantit që kishte në të, ishte e parashikueshme që të shpërthente në flakë.

Ngjarja ka ngjallur shqetësimin e ekspertëve të aviacionit, të cilën përkrahin zëvendësimin e llogarive matematikore, me një sistem të ri automatik, për të shmangur gabimet njerëzore.

Incidenti në fjalë për pak ndodhi në datën 29 prill, por detajet e tij u publikuan për mediat vetëm pas shqyrtimit të Komisionit të Sigurisë në Fluturime, ditën e enjte.

Pas shkëputjes nga toka, avioni arriti të ulej pa probleme në aeroportin “Heraklion” të Kretës, ndërsa 223 pasagjerët nuk e mësuan kurrë se sa pranë i shkuan vdekjes.

SHPËRNDAJE