Dy persona janë arrestuar në Ukrainë pasi dyshohet se kanë përgatitur një atentat ndaj kryeministrit rus, Vladimir Putin.
Televizionet kanë transmetuar pamje dramatike të çeçenit Adam Osmayev, gjysëm i zhveshur dhe i plagosur, pasi është kapur nga forcat speciale në qytetin ukrainas Odesa.
Në gjunjë, me kokën e përkulur, ai rrëfehet: “Qëllimi ynë ishte që të shkonim në Moskë dhe të vrisnim kryeministrin Putin. Afati për këtë ishte pas zgjedhjeve presidenciale ruse”.
Osmayev ka qenë në listën e të shumëkërkuarve në Rusi për shumë vite. Arrestimi i dy të dyshuarve u bë nga shërbimet speciale ukrainase pasi një shpërthim eksplozivi muajin e shkuar në një apartament në Odessa la të vdekur një të dyshuar të tretë për aktin terrorist.
Zbulimi u bë në javën finale të zgjedhjeve presidenciale në Rusi.
Osmayev, 30 vjeç, ishte në mision për të vrarë Putin i dërguar nga Doku Umarov, lideri rebel çeçen. Në laptopin e tij u gjetën pamje të eskortës së Putinit. Osmayev tha se pamjet e eskortës u shërbenin për të kuptuar se si mbrohej presidenti. Televizionet ruse thonë se Osmayev ka treguar edhe vendin ku ishte vendosur tashmë eksplozivi, pranë një shëtitore ku kalon eskorta e Putinit. Një zyrtar tha se eksplozivi mund të çante në dysh edhe një kamion.(io)

SHPËRNDAJE