Viti 2011 ka qenë një vit i mirë për zgjerimin dhe jam i vetëdijshëm se po flasim për këtë, në një kohë kur Evropa ka krizë”.

Kështu u shpreh komisioneri evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle, gjatë një konference të posaçme për shtyp, menjëherë pas mbledhjes së Parlamentit Evropian ku u paraqit Progres-Raporti për vendet që aspirojnë të aderohen në BE, mes tyre dhe Shqipëria.

Para gazetarëve, ai ka deklaruar se në tërësi, kanë ndodhur transformime në konsolidimin e shtetit të së drejtës.

“Bashkimi Evropian i inkurajon shtetet që të bashkëpunojnë mes tyre.

Zgjerimi i tij është pozitiv edhe për ekonominë e tij”, tha mes të tjerash Fyle.

***

Duke e nisur raportimin e tij me Kroacinë, ai tha se viti 2011, ka qenë i mbarë për të dhe se ajo përbën shembullin më të mirë të zgjerimit në BE.

Sipas tij, Progres-Raporti për Kroacinë është pozitiv. Ndërsa për Malin e Zi, tha se është parë progres në shumë fusha. “Propozojmë që të hapim negociatat me këtë vend”, theksoi Fyle.

Duke kaluar më pas me Serbinë, ai tha se ajo ka njohur progres në fusha të ndryshme dhe se BE do t’i hapë negociatat edhe me këtë vend. “Por duhet që ajo të vazhdojë negociatat me Kosovën”, vuri në dukje komisioneri për Zgjerimin.

Për të kaluar më pas me Turqinë, ai tha se ai vazhdon të jetë vend kyç për Bashkimin Evropian. “Do të kemi një axhendë të re mes saj dhe BE-së”, tha më pas ai.

Kurse në lidhje me Maqedoninë, ai tha se ky vend duhet që të bëjë përparim në lidhje me çështjen e emrit. Më tej, lidhur me Shqipërinë, ai tha se progresi i vendit është penguar nga ngërçi politik.

Ai tha se ka pak sinjale për dialog mes palëve.

“Duhet bashkëpunim, për integrimin e vendit. Komisioni Evropian mbështet partitë politike në Shqipëri, që ato të kalojnë interesat personale, në mënyrë që ky vend të bëhet një partner në procesin e integrimit”, theksoi ai.

Në fund, Fyle foli për gjendjen në Bosnjë-Hercegovinë, duke theksuar se në këtë vend nuk ka patur shumë progres.

“Sa i përket Bosnjës, ka që prej marsit një politikë të qartë për vizat”, shtoi ai.

Për të kaluar te Kosova, ai tha se me këtë vend do të nisë brenda këtij viti dialogu për vizat.

“Duhet që në Kosovë të ndërtohet një dialog konstruktiv. Aty duhet që të ngrihet një sistem sipas udhëzimeve të BE-së”, nënvizoi përfaqësuesi i BE-së për Zgjerimin.

Në fund, Fyle nënvizoi se zgjerimi do të thotë stabilitet, por është e nevojshme që të vazhdohet me reformat.

SHPËRNDAJE