Kuvendi i Shqipërisë ka mirëpritur vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përfundimin e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës, që ishte vendosur në bazë të planit të ish-negociatiorit të OKB-së Marti Ahtisaari. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se kjo është një ditë historike dhe që vjen si rezultat i progresit që populli dhe klasa politike kosovare kanë bërë për zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës.“Me fundin e pavarësisë së mbikqyrur Kosova shënon një gur kilometrik të rëndësishëm në historinë e saj si shtet. Kosova ka përpara vetes sfida që nuk janë të lehta, por jam e bindur se shteti i ri do të dijë t`i përballojë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Fundi i pavarësisë së mbikqyrur shënon fundin e autoritetit ekzekutiv të rezervuar të komunitetit ndërkombëtar, por jo fundin e mbështetjes së këtij komuniteti për Kosovën.Kosova plotësisht e pavarur është një garanci më shumë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në hapat e saj të parë si shtet plotësisht i pavarur në rrugën e saj të konsolidimit dhe të integrimit në strukturat Euro-Atlantike,” deklaroi Kryetarja e Kuvendit.

SHPËRNDAJE