Freizer: Qeveria e re serbe, e favorshme për Prishtinën

Drejtorja për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Freizer, ka theksuar se Qeveria e re e zgjedhur në Serbi është partneri i vetëm, të cilin mund dhe do ta ketë Prishtina.
Sipas saj, është e nevojshme që të shikohet përpara me shpresën që pikërisht për shkak të mbështetjes së tyre nacionaliste ata të jenë në gjendje “t’ia shesin”më lehtë publikut marrëveshjet e arritura

Ajo ka theksuar se është e rëndësishme që të ketë një dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Dialogu teknik, i cili ekzistonte në vitin e kaluar, ishte mjaft i dobishëm, interesant dhe rezultoi me disa marrëveshje. Është e rëndësishme që, ose të vazhdojë dialogu teknik, ose që ky dialog të zgjerohet në nivel politik në mënyrë që lidershipeve në Kosovë e Serbi t’u jepet mundësia t’i diskutojnë çështjet statusore apo legale në karshi atyre teknike që i kanë diskutuar deri më tani”, ka thënë Freizer.

Ajo ka thënë se e kupton qëndrimin e palës kosovare për nevojën që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura meqë i kemi parë disa pengesa në zbatimin e tyre si për shembull në marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës, pastaj ajo që ka të bëjë me një çështjet më komplekse e që është menaxhimi i integruar i kufirit.

“Në këto çështje ka pasur ngecje. Është esenciale për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Serbisë që këto marrëveshje të zbatohen në mënyrë që i tërë rajoni të ecë përpara me më shumë besim”, ka deklaroi ajo për REL.

Sipas saj, është shumë me rëndësi të ketë një dialog politik, për shkak se çështjet si veriu janë çështje të ndjeshme që s’mund të zgjidhen në nivelin teknik, por të cilat kërkojnë disa marrëveshje politike ndërmjet Prishtinës e Beogradit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni