Kosova që nga viti 2009 është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Tani Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, përveç tjerash, ishte parë si mundësi e mirë për ta rritur besimin e investitorëve dhe të komunitetit ndërkombëtar, që Kosova është një vendi i mirë për të investuar.Pavarësisht kësaj, përfaqësues të bizneseve thonë se që nga anëtarësimi i Kosovës në këta dy mekanizma financiarë, nuk është parë ndonjë zhvillimin i hovshëm ekonomik i Kosovës.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se roli i FMN-së ka qenë stabiliteti financiar dhe ekonomik në përgjithësi, gjë që e kanë ofruar. Ndërsa, Banka Botërore e cila ka ofruar grante, tani atë e ka kthyer në formë të kredisë, për rezultatet e së cilës duhet pritur.

“Duke ofruar kredi, ata tentojnë t’i prekin prioritetet e programeve qeveritare, apo ato që burojnë nga korniza afatmesme e shpenzimeve dhe efektet nuk vërehen menjëherë. Kjo është e meta e këtyre dy institucioneve, te i pari pra kemi një qëllim dhe ai qëllim është stabiliteti financiar dhe fiskal, e te e dyta kemi një qasje që japin kredi po efektet shihen më vonë”, thotë Rukiqi për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se këto janë politikat e këtyre dy mekanizmave financiarë ndërkombëtarë.

Në anën tjetër, anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, sipas Rukiqit, mund të sjellë risi në Kosovë, pasi që ky mekanizëm ka një rol tjetër nga ai i FMN-së dhe BB-së.

“Te BERZH-i projektet që janë me fizibilitet ekonomik, pra që ka përfitime, gjëra publike, rrugë, infrastrukturë nëpër zona rurale, infrastrukturë në shëndetësi, në edukim në përgjithësi, të gjitha këto që mund ta shpejtojnë zhvillimin, janë projekte fizibile apo janë projekte të pranueshme për BERZH-in”, thekson Rukiqi.

Prandaj , sipas Rukiqit, puna që duhet bërë autoritetet e Kosovës, para anëtarësimit në BERZH, është hartimi i prioriteteve të politikave dhe një listë e projekteve të pranueshme për këtë mekanizëm.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Pavarësisht faktit se Kosova nuk është anëtare e këtij institucioni, vite më parë, Misioni i Kombeve të Bashkuara ka arritur një marrëveshje me këtë bankë, për mbështetje financiare dhe hua për Kosovën.

Ndërkaq, një punë për anëtarësim e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë është duke e bërë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ministrja Mimoza Kusari-Lila thotë për Radion e Evropa e Lirë se jane shumë afër finalizimit të vendimit mbi formën e aplikimit në OBT.
Ne po bëjmë përpjekje që të gjejmë formën e duhur të aplikimit, e cila do të do të jetë e pranueshme edhe për vendet që nuk e kanë njohur Kosovën…

“Që në fillim, kur të bëhen përgatitjet për aplikim, kemi rezistencë nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ne po bëjmë përpjekje që të gjejmë formën e duhur të aplikimit, e cila do të do të jetë e pranueshme edhe për vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk do të shkaktojë reagime të menjëhershme negative për arsye se secilën herë kur ngrihet ndonjë kontradiktë në raport me vendet që aplikojnë, shtetet anëtare që janë pjesë e OBT-së hezitojnë ta përkrahin shtetin e ri që synon të hyjë aty”, shpjegon Kusari – Lila.

Kosova synon që anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë t’i ndihmojë në zhvillimin e tregtisë.

“Shpresojmë që në një periudhë kohore informacionet lidhur me procesin e aplikimit në OBT do t’i bëjmë publike, por mund të them se punët kanë filluar që të hyjmë në anëtarësimin e një organizate të rëndësishme për ekonominë e vendit”, potencon Kusari – Lila.

Aktualisht, në Organizatën Botërore të Tregtisë bëjnë pjesë 150 vende të botës, kurse 30 të tjera janë në proces e sipër të anëtarësimit.

Vitin e kaluar Rusia i është bashkuar kësaj organizate, pas 18 vjetësh negociatash për anëtarësim.

SHPËRNDAJE