“Një grup mafioz i bën këto përgjime me pajisje të blera në Itali. Me Ilir Metën një ditë edhe mund të bashkëpunojmë”
Ish-ministri: Kam pasur oferta për në qeveri.

Ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, flet për herë të parë pas vendimit të Gjykatës së Lartë që e shpalli Metën të pafajshëm. Në një intervistë për emisionin “Debat” në Vizion Plus, për gazetarin Alfred Peza, Prifti thotë se ky ka qenë viti më i keq i jetës së tij, teksa shton se tani janë duke u përgjuar edhe Presidenti, kryeprokurorja dhe kryetari i opozitës.
Jeni bërë pishman që e keni publikuar videon?
Për të qenë plotësisht i sinqertë, jam i dyzuar. Dikur nuk kisha asnjë lloj pishmanllëku. Tani kam, sepse nuk ndodhi asgjë.
Ju realisht mendonit se pas kësaj videoje do të rrëzohej vërtet qeveria?
Mbase jo rrëzim, por një tronditje shumë më të madhe e mendova që do të ndodhte.
A ka pasur rol, siç thuhet, Edi Rama, në këtë publikim, në këtë transmetim?
Edi Rama s’ka pasur asnjë rol në këtë gjë, ka pasur dijeni, por s’ka pasur rol. Por, sigurisht, ka qenë përfituesi kryesor i efektit që kjo pati në publik, si kryetar opozite.
Përpara publikimit të videos ju keni pasur një raport të vështirë me Edi Ramën. Si ishte ky raport gjatë asaj periudhe dhe si ka qenë gjatë këtij viti raporti juaj me liderin e opozitës?
Raporti me Edi Ramën midis meje dhe atij ka qenë në dy faza. Faza e parë e raportit ka qenë periudha 2000–2001–2002, kur unë jam kthyer nga Amerika. Kam filluar të punoj si shef kabineti i Kryeministrit Ilir Meta në vitin 2000, pastaj u bëra deputet dhe ministër Energjie. Atëherë kam pasur një raport për Edi Ramën, një mendim për Edi Ramën, si një person jo shumë serioz, nuk e merrja shumë seriozisht, pavarësisht se ai u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës…
Nuk e merrje seriozisht nga veshja, unaza dhe çorapet e verdha?
Nuk më ngjiste. Edhe këto kishin efektin e vet. Nuk më ngjiste si një person serioz, i prerë për një zyrtar serioz të këtij vendi dhe nuk na ngjiste as marrëdhënia personale. Kështu që, nga ajo periudhë deri në vitin 2010 unë për Edi Ramën kam pasur këtë opinion jopozitiv. Për shkak të viteve 2000-2001-2002. Gjatë viteve të tjera, nuk është se kam pasur marrëdhënie me të. Gjatë kohës që ka qenë kryetar Bashkie i kam shkuar dy herë në Bashki, për nja dy histori lejesh ndërtimi. Në të dyja rastet është treguar i gatshëm për të ndihmuar, i ka pëlqyer projektet që miqtë më kishin kërkuar ndërmjetësimin tim për të ecur, asnjë nga ato nuk u bë. Por, të paktën Edi Rama atëherë u soll korrekt, i kërkoi këshillit teknik që t’i shikonte, duke i thënë: “Mua më pëlqejnë, më duken bukur për Tiranën” etj. Por, për një periudhë pothuajse 10 vjet, 2000–2010, nuk është se kam pasur ndonjë opinion pozitiv. Opinioni im ka qenë shumë i ndikuar edhe nga Ilir Meta, nuk diskutohet. Pasi unë kam qenë 10 vjet në mënyrë të pandarë nga Ilir Meta. Ai dhe Rama kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie konfliktuale, problematike, konkurrence midis njëri-tjetrit. Unë kam qenë i prirë të besoja variantin e Metës, duke mos i ditur gjërat vetë, duke i dëgjuar ato që thuheshin nga Ilir Meta për atë lloj marrëdhënieje të tyre. Pas 2010-s, sidomos kur u largova nga qeveria, kam pasur disa kontakte dhe takime me të. Në dy raste jemi ulur dhe kemi ngrënë darkë bashkë, në disa raste të tjera me kolegë të tjerë dhe kam parë një Edi tjetër, një Edi më serioz, më të qetë, më të shtruar, më të pjekur. Sigurisht që 10 vjet është një diferencë e madhe në jetën e njeriut që të ndryshojë dhe ma mbushi mendjen si një person pas të cilit mund të shkoja dhe të cilin mund ta mbështesja. Tani jam në pozitat që jam një mbështetës i opozitës, jam një person që mendoj se ai nuk është ai që ka qenë dhe është i gatshëm për të marrë pushtetin e për ta drejtuar këtë vend.
E thoni me bindje sipas pikëpamjes suaj?
E them me bindje. Në tregun që ka sot politika dhe opozita, ai është më i sakti për mendimin tim. Pa diskutim që ai ka të metat e veta. Pa diskutim që unë jam kritik për shumë gjëra që ai bën. Për shembull, unë nuk mund të mos e kritikoj që pas konfirmimit që komandanti i Gardës ka vrarë njerëz të pafajshëm në shesh, ai nuk i ka kërkuar akoma zyrtarisht Berishës dorëheqjen. Opozita, pavarësisht se a beson dhe a s’e beson se mund të ndodhin disa gjëra, për hir të qëndrimeve opozitare, të cilat komentohen nga shqiptarët, por edhe nga gjithë bota, ai duhet ta bëjë. Ai akoma s’e ka bërë që t’i kërkojë dorëheqjen Kryeministrit. Absolutisht që ai ka të meta në punën e vet, por mendoj se është më i sakti sot për ta marrë drejtimin e këtij vendi.
Kjo periudhë kulmon edhe me periudhën që pas publikimit të videos, Prokuroria e Përgjithshme u vu në lëvizje, hapi një çështje për zotin Meta. Zoti Meta, katër ditë më pas dha dorëheqjen nga qeveria dhe u vu në dispozicion të hetimit. Si ishte kjo periudhë për ju në raport me Prokurorinë me çështjen, përtej asaj çfarë është perceptuar në publik…?
Ne folëm pak për këtë periudhë. Për mendimin tim, ka qenë viti më i keq i jetës sime kur kam bërë shumë gjëra të mira, kur kam bërë shumë gabime. Prokurorisë i kam qëndruar sa herë më ka thirrur, sa herë ka dashur dëshmi, sa herë ka kërkuar prova, sa herë ka kërkuar sqarime për rrethana të caktuara, në orën e caktuar dhe në vendin e caktuar, dhe kam qenë një qytetar model për t’iu përgjigjur dhe për të dhënë një kontribut për drejtësinë. Nuk besoj se mundet ndokush në atë Prokurori apo jashtë saj, që të thotë se kontributi im ka qenë ndonjëherë me rezerva. Kam qenë aq bashkëpunues, sa kam arritur kam bërë gabime që sot më kushtojnë. U kam çuar orën dhe laptopin prokurorëve me besimin e plotë se kërkoheshin për të gjykuar një video që kishte dalë dhe aty janë përdorur gjëra pastaj kundër meje, dhe sot e kësaj dite përdoren kundër meje. Kështu që kam qenë më shumë i ndërgjegjshëm se sa duhet, kam qenë më shumë bashkëpunues se sa duhet, kam qenë më shumë kontribuues se sa duhet, deri në atë që kam dëmtuar edhe veten nga ky lloj bashkëpunimi, pasi kam menduar që po kontribuoja për diçka pa menduar se kontributi im mund të kthehej edhe kundër meje.
Spartak Braho ka thënë që ka 187 orë filmime…
Ka dalë, ka thënë që ka 187 orë filmime për mua, të cilat ata do t’i nxjerrin, ku di unë, këtu e aty, e histori të tjera si këto. Për hir të së vërtetës, Ilir Meta është distancuar në qëndrimet e tij publike ndaj Spartak Brahos dhe ka thënë që ato janë disa deklarata të ulëta e të pamoralshme. Kështu që unë dua ta bëj ndarjen midis të dyve. Spartakun e njohin të gjithë. Ai në listën e deputetëve të LSI-së vjen pas meje. Nëse unë dorëzoj mandatin, hyn në Parlament Spartaku. Por ka edhe një interes personal që ta bëjë këtë lloj lufte, këtë lloj shantazhi, këtë lloj shou. Ka një të vërtetë. Vërtet ka filmime të miat, ka ndodhur vërtet. Më kanë përgjuar 24 orë në telefona, në makinë, në shtëpi, në zyrë, në ambiente private, vend e pa vend. Ka qenë një grup mafioz që ka punuar rreth një vit rresht për të më përgjuar mua 24 orë. Nuk e bëjnë vetëm për mua. Nga informacionet që kam, ata përgjojnë Presidentin, kryeprokuroren, kryetarin e opozitës, opozitarë të tjerë, përfaqësues mediash. Është një grup mafioz, nuk e di a është Spartak Braho në krye apo jo, brenda Shqipërisë, që bën këto gjëra me pajisje përgjimi të blera në Bari të Italisë dhe nga sa di unë, me origjinë ruse, që bëjnë këtë lloj masakre, shkelje të të drejtave të njeriut dhe të privatësisë, të personave publikë, por edhe personave të thjeshtë në këtë vend.
Keni prova për këtë?
Kjo është tmerruese. Si është e mundur që të dalë një përfaqësues i maxhorancës në një emision televiziv dhe të thotë se kam 187 orë filmime për një deputet dhe askush mos të shkojë t’i kontrollojë shtëpinë, zyrën, të gjejë se çfarë ka, si i ka bërë? Nuk lejohet që të përgjohet një njeri në Shqipëri pa mandat. Kjo është një deklaratë e tmerrshme e një rrjeti dhe grupi mafioz. Askush nuk lëviz. Unë i kam bërë një letër Prokurorisë për këtë gjë. Është komentuar letra. I kam bërë letër për këtë gjë, i kam thënë se jam përgjuar 24 orë në këtë mënyrë, i kam dhënë informacionet dhe i kam thënë se kam rrezik për jetën nga kjo që ndodh. Asnjeri nuk ka lëvizur.
Ka ndodhur kjo, në fakt, edhe me të tjerët?
Absolutisht. Nëse ju do të dëgjoni se çfarë thotë njëri apo tjetri, që Presidenti kur ishte në këtë vend tha kështu, kryeprokurorja kur ishte këtu tha kështu me Edi Ramën, kjo kur ishte këtu bëri ashtu. Këto janë të gjitha përgjime. Nga dalin këto? Dalin nga njerëzit që drejtojnë vendin dhe shtetin këto struktura. Dikush duhet të ngrejë sinjalin e alarmit për atë që ndodh në Shqipëri, duhet ta zbulojë urgjent se çfarë ndodh. Unë absolutisht, mos të përdor ndonjë fjalor që s’dua ta përdor në televizor, nuk e kam problem se çfarë më bëjnë mua shantazh. Nuk ka lindur akoma ai njeri që të më bëjë mua shantazhe. Por, ndodh me gjithë shtetin.
Përtej kësaj, ta zhdramatizojmë pak këtë moment të bujshëm të intervistës. Ju thatë që është vënë re se zoti Meta ka pasur një qasje krejt tjetër pas vendimit të Gjykatës në lidhje me ju dhe në raportin me ju. Si e shpjegoni, çfarë ka ndodhur, keni ju ndonjë shpjegim?
Edhe Meta, edhe unë jemi politikanë dhe politikanët shohin përpara. Unë e shoh që Meta, të paktën çfarë ka deklaruar, e ka lënë të shkuarën prapa. Unë jam në të njëjtën gjatësi valësh. Ta lëmë të shkuarën prapa dhe të shohim përpara. Unë i kam parë dhe vlerësuar qëndrimet e tij të zbutura, ashtu siç jam përgjigjur me të njëjtën monedhë. Unë kam deklaruar që me Ilir Metën kam pasur 10 vjet bashkëpunim dhe një vit luftë. Shpresoj që e ardhmja të jetë një lloj normaliteti. As e kam futur unë Ilir Metën në politikë dhe nuk qëndron në politikë prej një vote që kam unë, dhe as më ka futur ai e nuk qëndroj në politikë prej tij. Nëse do të votohemi dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në politikë, ku i dihet, mund të vijë një ditë për të mirën e opozitës dhe të ketë bashkëpunim.
Midis jush?
Midis faktorëve opozitarë.
Kjo ishte një ftesë jo vetëm për pajtim, por edhe një bashkëpunim të mundshëm, me sa kuptova?
Unë nuk bëj ftesa, se jam një person që përfaqësoj vetëm veten. Por unë e shoh një mundësi, sado të vogël, bashkëpunimi me Ilir Metën vetëm në kuadrin e bashkëpunimit opozitar.
Nëse kjo ndodh një ditë, mund të ndodhë vetëm…
Nëse kjo ndodh një ditë, mund të jemi në një llogore, jo në një informacion politik, por në një llogore.
Është folur se keni video etj,. I keni vënë kapak kësaj historie?
Fred, i kam mbyllur të gjitha historitë sepse prej kësaj nuk fitoi askush dhe unë që në fillim e kam thënë se do nxjerr një për provë. Për të parë a funksionon sistemi në këtë vend apo jo. Sistemi nuk funksionoi, unë nuk mund të vazhdoj të nxjerr sytë e mi. Ka mbaruar historia e videove.
Ju zyrtarisht do të pozicionoheni, keni ofertë, keni dëshirë te Grupi Parlamentar i PS-së, mbasi të përfundojnë, le të themi, çështjet e Prokurorisë?
Unë jam deputet opozite, kam kaluar vetë në opozitë unë edhe Paulin Sterkaj kemi ikur nga maxhoranca me vullnet, kemi kaluar në opozitë. Beso, nuk është e thjeshtë. Po të kisha qëndruar në maxhorancë, mund të isha rikthyer prapë në qeveri dhe mund të isha në qeveri, se nuk është se s’i kam pas ofertat. Kam ardhur në opozitë…
Keni pasur oferta?
Kam pasur oferta me data dhe me pozicione. Po çfarë rëndësie ka? Unë me vullnet të plotë kam zgjedhur rikthimin në opozitë. Shumica e votuesve të mi janë të majtë, opozitarë, dhe besoj se e kam të ardhmen më të thjeshtë duke qenë në këtë pozicion që jam. Nuk do të doja të hyja në oferta konkrete a kam ofertë nga PS, a kam ofertë nga dikush tjetër, sepse do të lindnin xhelozi që nuk duhet të lindin dhe s’ka nevojë që të ekzistojnë. Por unë po të them që jam i majtë, do qëndroj majtas, dhe e vetmja gjë që nuk kam për të bërë asnjëherë, është të kaloj me PD-në apo të kaloj me një forcë tjetër të djathtë. Tek e majta të gjitha opsionet janë të hapura, që te kalimi te PS-ja, që te krijimi i një force të re politike, që te shkuarja te një forcë tjetër e së majtës dhe opsioni për ta lënë fare këtë politikë, e cila për momentin ma ka shpifur. Të gjitha opsionet janë të hapura.
Një të vetme…
Vetëm një gjë është e sigurt, që për mua nuk ka më në këtë jetë djathtas.

SHPËRNDAJE