Në vend të familjes klasike mbretërore, Kosova ka shumë familje me akraballëk të gjerë e me miq shumë, që jetojnë si mbretër në krah të taksapaguesit kosovar

Kushdo ta ketë përcjellë Ooopsin e datës 18 prill, do ta ketë pasur të qartë se çfarë do të thotë të organizosh një seancë të jashtëzakonshme Kuvendi me nismë të partisë në pushtet. Në të shihej qartë se si kryetarin e Kuvendit e mundte gjumi, se si në çaste i ngjasonte ndonjë plaku të dërrmuar nga moti, e të ulur mbi bankë në park, duke e soditur natyrën dhe me mendtë e zëna me farë peshkimi, a farë plazhi… Thuajse e dinte, edhe pa ardhur te faza e ofendimeve dhe e akuzave, se nga kjo seancë nuk do të kishte gjë dhe se publikut do t’i shkonte huq ndeja para ekranit gjithë ditën e lume, sepse, sërish u dëshmua, nga ky Kuvend nuk ka shumë gjëra të mençme që mund t’i mësojë njeriu.

Seanca u thirr me nismë të PDK-së që i mblodhi 40 nënshkrimet, dy ditë pasi VV-ja kishte dështuar t’i mblidhte po aq nënshkrime për ta debatuar të njëjtën temë – gjendjen në veri. Në shikim të parë do të thuhej se është situatë absurde, por duke ditur se te ne absurdja është normalja, pra mbledhja e fillimit të javës s’ishte për t’u çuditur. Nuk është fare larg mendsh se kreu i PDK-së ka llogaritur se me këtë veprim do të paraqitej më demokrat para opinionit – që ja, madje deputetët e partisë së tij i kërkojnë përgjegjësi, me procedurë parlamentare kuptohet; që ja se nuk ka kujt t’i frikësohet dhe se mund të dalë të flasë lirshëm; se mund t’i rëndojë të gjithë ministrat që të flasin – ani që shumë pak nga ta, pos atij të Brendshëm, u morën me veriun. Atë që nuk e ka llogaritur, është se opozita do ta lëshonte sallën kur do të çohej që ta adresonte Kuvendin. Duke ia përcjellë atij një porosi që nuk ka mundur të jetë më e qartë.

Me një sjellje absolutisht infantile, kryeministri u hakmor dy ditët në vijim. Posaçërisht ditën e parë, kur e akuzoi shumicën e përfaqësuesve të opozitës për takime, madje edhe darka sekrete, me ministrat serbë dhe përfaqësues të strukturave paralele në veri. Teksa e bënte këtë, po e harronte një detaj të vogël: ta mohonte akuzën identike që po ia bënte VV-ja prej kohësh. Përkundrazi, duke e përdorur shpesh lidhësen “edhe”, nuk la shumë hapësirë për dilema në lidhje me takimet e pretenduara.

Në ditën tjetër bëri që të kalonin madje tri ligje me përmbajtje problematike që me gjasë do të përfundojnë në shqyrtim në Kushtetuese. E që ndoshta edhe nuk do të “prishen” nga Kushtetuesja, por që me siguri do të shkaktojnë problem shumë serioz kur të ndodhë përpjekja për t’i zbatuar. Do t’ia qëlloni se ai, i cili më së shumti iu gëzua miratimit të ligjeve për Hoçën e Madhe dhe për Qendrën historike të Prizrenit, është pronari i zogjve që di të flasin, Pieter Fieth, zyrës së të cilit nuk iu deshën më shumë se 10-15 minuta për ta dërguar komunikatën zyrtare, me të cilën e ndante këtë gëzim me ne.

Nga ana tjetër, kaloi edhe i treti ligj, që shkaktoi reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – Kodi Penal me nenin 37 të diskutueshëm që parasheh përgjegjësinë penale dhe dënimet për komplet zinxhirin prodhues/emetues/botues të lajmit të shkruar dhe audioviziv, por duke mos i specifikuar veprat penale të cilave u referohet kjo përgjegjësi. Kjo përkthyer në kosovarçën aktuale do të thotë se cilido prej nesh që punojmë në gazetë apo televizion mund të shkojmë në burg, meqë mund të akuzohemi për një diçka të papërcaktuar, për shkak se kështu e thotë ligji. E natyrisht, pyetja është, kujt do t’i konvenonte që dikush nga ne të shkonte në burg që t’ua lërë terrenin e hapur? Përgjigjja është e thjeshtë: të gjithë atyre që janë bartësit e titujve kryesorë të gazetave dhe edicioneve të lajmeve gati kurrë pozitive, nga të tria pushtetet. E që e kanë fuqinë e edhe mekanizmat për ta zbatuar nenin. Dhe sa më shumë që do ta përdorin atë fuqi, aq më shumë do ta kufizojnë lirinë, edhe ashtu të brishtë, të shtypit në Kosovë.

Nuk mund ta fsheh se më mban shpresa e fuqishme se debatimi tashmë kronikisht arrogant dhe kalimi i ligjeve në këtë formë, herë do kur do t’i kthehet bumerang kësaj garniture udhëheqëse. Sepse janë tashmë shumë gjëra të pakëndshme që janë grumbulluar dhe nuk harrohen lehtë – dhe do të vijë dita që dikush t’i qesë mbi sipërfaqe kur të vijë dita për të votuar sërish. E di se një ditë (dhe kjo do të varet nga ne me ndihmën e ndërkombëtarëve që do t’ua kthejnë shpinën pushtetarëve aktualë), do të ndodhë ajo që i ndodh Sarkozyt këtyre ditëve: ai ndërmori një aksion spektakular jo për ta kapur, por për ta vrarë një vrasës arab të dy hebrenjve. Fitoi shumë pika politike, të cilat u shkrinë, posa u kuptua se kishte gënjyer kur kishte thënë se nuk kishte zhvilluar bisedime me Gadafin për shitjen e një reaktori bërthamor para disa vjetësh.

E di që kjo ditë nuk është bash prapa kthesës së ardhshme, por shumë shpresoj se do të vetëdijesohemi si shoqëri për të bërë zgjedhjen midis të mirës dhe të keqes. Kjo që kemi tash, është evidente, se nuk po na bën mirë. E ajo që e di me siguri se nuk ka shumë gjasa ta shohim është replikimi i një ngjarjeje të paprecedentë që ka ndodhur në Spanjë javën e shkuar. Mbreti Juan Carlos kishte vendosur të shkonte në gjah, hiç më larg se në Botsuana, për të gjuajtur elefantë. Por, i bëri vakia të rrëzohej dhe ta thyente kërdhokullën. E kthyen urgjentisht në Madrid, e bënë operacion, dhe sikur kurrë më parë, e kritikuan ashpër që të gjithë, pos partisë në pushtet. Kishte shkuar për të bërë qejf, atje diku në dreq të mallkuar, për të ndjekur elefantë në kohën kur shteti i vet po e arrinte shkallën më të lartë të papunësisë në histori dhe kur buxheti i shtetit po shkurtohej drastikisht në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit. Pas vetëm dy ditësh doli publikisht për të thënë; “Kam gabuar. Më vjen keq. Nuk do të përsëritet më”.

Pasojë direkte e këtij veprimi është vendimi që tash e mbas publiku do të ketë qasje të papenguar në informatat për aktivitetet shtetërore dhe posaçërisht ato private të familjes mbretërore, e cila financohet nga taksapaguesit spanjollë. Është zbulimi i shifrave të parave që e gjithë familja i ka në dispozicion dhe mënyrën se si i harxhon. Është, më në fund, solidarizim me shtetin, i cili është në zgrip të bankrotit dhe i cili nuk fsheh se shumë nga shërbimet publike nuk do të mund t’i ofrojë për shkak se, tekstualisht e thotë kryeministri spanjoll; “nuk ka para – sepse kemi shpenzuar më shumë seç kemi fituar”.

Është fakt se ne nuk kemi familje mbretërore në Kosovë – ne e kemi më zi. Kemi shumë familje me akraballëk të gjerë e me miq shumë, që jetojnë si mbretër në krah të mu këtij buxheti të varfër që e paguajnë taksapaguesit kosovarë. Kemi njerëz të cilëve megjithatë duhet pranuar diçka: aftësinë, shkathtësinë dhe diturinë e jashtëzakonshme për të zbuluar dhe zbatuar skema të vjedhjes së parasë publike. Po them se edhe për të vjedhur duhet pasur mend dhe pafytyrësi, apo është se vetëm duhet pasur pafytyrësi, nuk e di. Por atë që po e di është se asnjëri nga mbretërit tanë nuk do të dalë të kërkojë as falje, e as nuk do t’i bjerë pishman për gjithë hajninë e realizuar në kushtet kur gjysmën e popullatës e kanë të varfër.

E kur jemi te zbulimi dhe zbatimi i skemave të vjedhjes së parasë publike, njërën nga to porsa na e zbuloi “heroi bashkëkohor” Nazim Bllaca. Me një letër mahnitëse që ia drejtoi kryeministrit, i tha: “… si ushtar i UÇK-së jam plagosur në dy pjesë të trupit dhe për këtë kam dëshmi të lëshuara nga Spitali Ushtarak në fshatin Krojmir (të cilën e keni të bashkangjitur me letrën) dhe për këtë po ju kërkoj që të ma mundësoni mua, Nazim Bllacës, që nëpërmjet Zyrës së Invalidëve të Luftës, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, të më pranoni statusin e invalidit të luftës (…) nuk jam plagosur pas lufte në ndonjë atentat kundër zyrtarëve të lartë të LDK-se, zanat të cilin ma kanë mësuar eprorët e mi, por në luftë…”. Dhe kjo letër logjikisht rrodhi që në çastin kur në gjykimin e të ashtuquajturit “Rasti Bllaca 2”, njëri nga të akuzuarit për tentative-vrasje i ishte qarë trupit gjykues për gjendjen e rëndë ekonomike, sepse po i merrte vetëm 270 euro në muaj, në emër të invaliditetit të pësuar në luftë. E sipas Bllacës, këto para po i merrte falë intervenimit të Fatmir Xhelilit (zëvendësministrit aktual të Punëve të Brendshme) dhe Azem Sylës (deputet aktual i Kuvendit të Kosovës), që, po parafrazoj, i paskan ditur procedurat e mjekimit, tërheqjes e shërimit, si dhe fitimin e statusit të veteranit të luftës, ani që i akuzuari kurrë nuk kishte qenë në luftë.

Do të ishte shumë mirë po qe se ky do të ishte rasti i vetëm që është regjistruar në listat e përfituesve i skemave të parapara me ligj. Por të gjithë ne e dimë se kjo nuk është e vërtetë dhe se numri i keqpërdoruesve është shumë më i madh. Shikojeni vetëm sa herë është kthyer ligji për veteranët në ripunim – e dini pse? Për shkak se nuk dihet numri i saktë i anëtarëve të shoqatës; për shkak se ai numër do të dalë shumëfish më i madh seç ka pasur ushtarë gjatë luftës, për shkak se aty do të përvidhen emrat sikurse të këtij krimineli ordiner, për shkak se dikush dikujt ia ka larë një borxh. Dhe se për shkak të gjithë kësaj nuk mund të bëhet përllogaritja buxhetore.

Në këtë rrëfim, megjithatë, është rrëqethëse çështja e përfaqësuesve të partisë në pushtet e që mbajnë poste hiç më pak të rëndësishme. Ministria e Brendshme udhëhiqet nga profesionistë të shëndetësisë: ministri është kirurg, kurse zëvendësi i tij është neuropsikiatër. Kanë mundur ta angazhonin edhe një mami për sekretare të përgjithshme, dhe ishte kompletuar skema organizative. Përderisa kirurgut i kërkohet dorëheqja për çdo ditë, neuropsikiatri ka gati dy vjet që nuk zbret nga raportet mediale që i referohen hetimeve dhe gjykimit të zhvilluar në bazë të vetëdorëzimit të Bllacës. Por, kjo nuk i lë përshtypje askujt. Përderisa është e vërtetë se njeriu është i pafajshëm derisa mos të dëshmohet e kundërta, megjithatë ka diçka që quhet obligim moral – dhe shumë më e rëndë do të ishte po qe se Xhelili do të tërhiqej, ashtu që të mos mund të ndikonte në hetuesi dhe mbledhje provash nga pozita të cilën e mban. Fundja, pacientë për të në këtë Kosovë ka me bollëk.

Nga ana tjetër, e kemi një deputet i cili po i njihte procedurat për ta shpallur dikë invalid – mbase për shkak se edhe vetë është i shpallur invalid (jo i luftës, por mendor). Duke supozuar se ajo që e thotë Bllaca është fund e krye e vërtetë, si bëhet atëherë që një njeri, i cili ka kufizime shpirtërore/mendore sikur zotëri deputeti, fillimisht të ketë aq shumë ndikim për të vendosur çfarëdo qoftë dhe më pas edhe të zgjidhet deputet i Kuvendit. Dhe për ta vazhduar avazin e shpenzimit të parave publike për kot, mbase nuk duhet harruar së përmenduri se z. Azem Syla është deputet që nuk bën pjesë në asnjërin komision të Kuvendit dhe se nuk ka diskutuar absolutisht asnjëherë prejse është ulur në kolltukun e vet. Ai thjesht ka shërbyer si makinë votuese për partinë e vet – e cila do të ketë pasur një zor ose një borxh shumë të madh për ta emëruar kandidat, e për ta zgjedhur përfaqësues të vetin në Parlament. Dhe mbase jo pikërisht për kontributin e dhënë në UÇK dhe në luftë.

Çështja e dhënies së statusit të invalidit dikujt mund të duket gjë e vogël. Por në esencë tregon për një zinxhir, për një rrjet të organizuar krimi – sepse kamuflohet një vepër penale me dokumente dhe nëpërmjet trupave që kanë për detyrë sigurimin e pushtetit edhe nëpërmjet vjedhjes së votave (“… deri në vitin 2007 kam qenë në gjendje t’i vjedh edhe kutitë e votimeve për partinë e Thaçit, pasi që kundërshtarët e tij politikë i kisha ndjekur për t’i vrarë”, Nazim Bllaca / ose hetimi që i bëhet shefit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së për votimin e 150-fishtë). Zinxhir që mban peng njerëzit me “karrierë” të specializuar për të kryer punët e fëlliqura, ose që shpërblen njerëz që i kryejnë punët e fëlliqura, por tash nga pozita e zyrtarëve me kravata e tesha të zeza, me ndonjë udhëtim në qendra skijimi, apo edhe në ndonjë qytet që do ta kenë parë nëpër filma.

Mund të duket e vogël, ngase kush e di sa punë të tjera më të mëdha janë nisur dhe kanë përfunduar në mjegull, nëntokë dhe për interesa të mbretërve të Kosovës. Por është punë dëshpëruese dhe, mbi të gjitha, shkatërruese e substancës sonë. Është shërbim që u bëhet argumentuesve nga fqinji verior, sipas të cilëve jemi shtet i dështuar, sepse me ne sundon krimi.

[email protected]

Korrigjim:

Miku im Geci, njohës i mirë i rrethanave në Kuvend, ma tërhoqi vëmendjen nga një lëshim që kisha bërë në komentin tim të së shtunës. Aty kisha cilësuar zotin Xhelili si zëvendësministër aktual të Punëve të Brendshme, ani se ai në fakt është aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës. Për këtë lapsus memorieje natyrisht se më duhet t’u kërkoj falje si zotit Xhelili ashtu edhe lexuesve të devotshëm të kolumnes sime.

Për korrektësi më duhet të sqaroj se Ministria e Brendshme ishte udhëhequr në Qeverinë e shkuar nga një kirurg me një zëvendës neuropsikiatër deri në shkurt të vitit 2011. Tash udhëhiqet nga po i njëjti ministër kirurg që ka tre zëvendësministra (një historian, një jurist dhe një inxhinier i makinerisë).

E me gjithë këto sqarime, qëndroj pas asaj që e kam thënë në lidhje me atë që e çmoj se është obligim moral i njerëzve me përgjegjësi vendimmarrëse politike. Sepse zoti Xhelili megjithatë ka qenë zëvendësministër i Brendshëm në kohën kur është shfaqur rasti “Bllaca” dhe ka qëndruar në atë post deri në konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës në shkurt të vitit 2011, pra 15 muaj. Pra shumë muaj në të cilët ka mundur të ndikonte nga pozita e ekzekutivit, e tash pothuajse po aq muaj në të cilët do të mund të ndikonte nga pozita e legjislativit.

Fare në fund, dhe jo për t’u arsyetuar, por numrin dhe emrat e zëvendësministrave nuk ka ditur të na i tregonte personi përgjegjës në Qeveri e që do të duhej t’i dinte…

 

Koha Ditore

SHPËRNDAJE