Flet zëdhënësja e Policisë së Tiranës. Vështirësitë e para të terrenit si oficere policie në zonën dikur problematike me emrin Kombinat, dhe rrugëtimi drejt karrierës. Jeta e Alma Katragjinit si nënë dhe bashkëshorte.

 

ERMIRA ISUFAJ

Veshja protokollare, ajo tipike me uniformën blu të Policisë, i qëndron po aq bukur sa një fustan plot ngjyra apo një veshje tjetër e zakonshme, që rreket t’i përshtatet përditshmërisë së saj. Për zërin zyrtar të Policisë së Tiranës, zgjedhja e këtij profesioni nuk ishte një pasion i hershëm i fëmijërisë, që ngriti krye menjëherë sapo ajo la pas bankat e gjimnazit. Një rastësi e bukur do e përfshinte Alma Katragjinin në radhët e uniformave blu fillimisht, e më pas në një nivel më zyrtar, siç është edhe pozicioni aktual si zëdhënëse e Policisë së kryeqytetit. Ndonëse jo pak e vështirë, i duhet të “zhvishet” nga ndikimet emocionale dhe ato psikologjike kur flet për viktima apo për operacione të suksesshme të policisë. Ashtu siç problemet e punës në ditë të caktuara i duhet t’i lërë pas portës së shtëpisë, për sa kohë vëmendja përqendrohet në detyrimet familjare, e sidomos ndaj Raisit, djalit pesëvjeçar. Nën profilin e një femre në karrierë dhe një gruaje të plotësuar, Alma shprehet për suplementin “Unë Gruaja”.

 

 

Alma, si u gjende në radhët e uniformave blu?

Alma Katragjini duke pozuar për suplementin “Unë Gruaja”, Foto: Vlasov Sulaj

Të bëhesha oficere policie nuk ka qenë një nga ato pasionet e vjetra që gjithnjë ka fjetur në sirtar. Pas përfundimit të gjimnazit, konkurrova në Akademinë e Rendit “Arben Zylyftari” dhe në dy degë të tjera, por në përfundim përzgjodha Akademinë. Që në krye të herës e quajta sfidë të veshurit me uniformën e Policisë dhe radhitjen krah për krah me meshkujt. Për më tepër, nevoja për të luftuar krimin, padrejtësitë dhe ruajtja e rendit e qetësisë publike u kthyen në faktorë të qenësishëm të përditshmërisë sime. Fatmirësisht, edhe familja ime më mbështeti në zgjedhjen që bëra.

 
Cilat ishin vështirësitë e para?
Fillimi ka qenë tepër i vështirë, por njëkohësisht edhe grishës. Pas përfundimit të akademisë, puna ime e parë ishte fill në terren si komandante toge pranë Komisariatit 6 në Kombinat. Bëhet fjalë për vite tepër të vështira dhe një zonë problematike, e rrahur nga krimi i organizuar, vjedhje, vrasjet në masë në vitet 2003-2004. Por, nisa të ambientohesha me zonën përreth, ta njihja atë dhe puna u bë më e pranueshme. Punoja me turne, që do të thotë edhe deri në mbrëmje vonë, ku përballja drejtpërdrejt me krimin nuk ishte diçka e lehtë, sidomos për një femër.

 
Pas përballjes me terrenin, tashmë pozicioni si zëdhënëse e Policisë së Tiranës ngjan si një punë më komode. Si është kjo eksperiencë për ty?
Nuk mund ta fsheh që pozicioni im aktual është më komod, më protokollar. Kur m’u ofrua si punë, fillimisht pata hezitimet, për faktin se tanimë puna ime duhet të kishte lidhje të drejtpërdrejtë me median, të isha në kontakt të vazhdueshëm me gazetarët. E mendoja veten përballë dhjetëra kamerave, e kjo më krijonte emocion. Kjo do të thoshte se nuk kisha të bëja vetëm me hartimin e deklaratave për shtyp, por do të isha në vëmendje edhe vizualisht, përballë operatorëve, gazetarëve e kamerave televizive. Por, pas herëve të para, dridhjet e duarve dhe të zërit ia lanë vendin sigurisë në dhënien e informacionit. Përpilimi i deklaratave për shtyp nuk është një fushë e paprekur nga unë, pasi kam realizuar një sërë trajnimesh të vazhdueshme në Institutin e Medias në Tiranë. Të qenët zëri zyrtar i Policisë së Tiranës, është përgjegjësi dhe njëherësh vlerësim. Ndonëse çdo ditë imja është sfidë në vetvete në të ardhmen.

 
Pse e quan sfidë?
Në pamje të parë ngjan si diçka e zakonshme. Gati-gati një punë mekanike. Mbledhja e të dhënave, seleksionimi i tyre dhe dalja në një deklaratë zyrtare për shtyp, referuar burimeve e shifrave, sigurisht që vijnë përmes institucionit ku jam e punësuar. Por, për ngjarje të caktuara, ndodh që tronditem emocionalisht, edhe pse kjo gjendje nuk është e përcaktuar në asnjë kod apo rregull të institucionit të Policisë (qesh). Mundohem që pjesën ndjesore të mos e përziej me punën, por në situata të caktuara është e pashmangshme.

 
Dhe cila është ajo ngjarje e fundit që të ka tronditur emocionalisht?
Mbaj mend rastin e fundit, të cilin e kam përjetuar keq. Historia e Griseldës dhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Ky rast tërhoqi shumë vëmendje mediatike. Orë të tëra nën një presion për informacionin nga ana e saj, e në anën tjetër nga ana e medias për protagonisten e ngjarjes. Kjo situatë vazhdoi deri në momentin final kur Griselda pranoi gjithë sajesën e saj, teksa unë isha e pranishme aty bashkë me Griseldën për orë të tëra. Mandej, me një frymë, hartova deklaratën për shtyp me gjërat më specifike që ajo kish shprehur. Më ka ngarkuar shumë ajo ngjarje, sepse më dukej e pabesueshme për të qenë një trill i mirëfilltë.

 
Të ndodh që ngarkesën emocionale ta shkarkosh në familje ?
Përpiqem që të mos u hyj kaq shumë në hak atyre. Por, të bëj një kategorizim të përgjegjësive dhe detyrimeve, qofshin ato me karakter pune, apo ato familjare. Kur shkoj në shtëpi, edhe pse telefoni nuk pushon së rëni edhe deri në orët e vona të natës,  merrem me tim bir, Raisin. Luaj me të, e nxjerr në parqet e lojërave këtu në kryeqytet. Por, ndodh që këtë normalitet të ma cenojë ndonjë detyrë e rëndësishme (ngjarje apo operacion i suksesshëm), ku duhet se s’bën të jem përpara mediave. Më ka ndodhur që tim bir ta lë me temperaturë në shtëpi, duke ia besuar sime mëje ose ndonjë të afërmi. Puna shpesh kërkon edhe sakrifica.

 
A të pengon uniforma në feminilitetin tënd dhe si e gjykon raportin femra-meshkuj në radhët e Policisë shqiptare?

 
Uniforma është vërtet diçka e bukur. Nuk më pengon në  feminilitetin tim, përkundrazi më plotëson në pjesën e imazhit. Në ambientet e punës janë disa akte normative që përcaktojnë qartë çështjen e veshjes së uniformës, ashtu siç ekzistojnë rregullat strikte që duhen zbatuar në mbajtjen e saj. Uniforma është bërë pjesë imja dhe nuk kam asnjë pretendim në mbajtjen e saj. Gjatë orëve të pasdites ose darkave me shoqërinë apo familjen, e kompensoj imazhin tim në një femër me fustane të derdhur, dekolte etj. Sa i takon çështjes së raportit gjinor në Policinë shqiptare, gjykoj se nuk është një raport i drejtë. Janë të pakta në numër femrat me uniformë.

SHPËRNDAJE