Financuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bejtush Zhugolli, ka kërkuar nga gazeta “Zëri” 700 mijë euro, si dëmshpërblim për dëmtimin e imazhit që i është bërë kompanisë së tij “Pejton”.

Zhugolli përmes avokatit të tij, Visar Vehapi, më 12 prill, ka paditur gazetën “Zëri” për shkrimin “Baballarët e tenderëve në Kosovës”, shkruar nga redaktorja Arbana Xharra dhe pas pak ditësh me 25 prill Gjykata i ka dërguar ftesën gazetës për të marrë pjesë në seancë, e cila do të mbahet më 15 maj.

Zhugolli përmes padisë ka kërkuar nga gjykata që t’i aprovojë padinë për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në vlere prej hiç më pakë se 700 mijë euro.

Ai më tej në padi shkruan se gazeta ‘Zëri” në mënyrë të paargumentuar ka shkruar se disa kompani e pranojnë se kanë financuar PDK-në, e në mesin e tyre i përmend edhe disa nga kompanitë më të mëdha që janë përfituese të tenderëve dhe financuese të partisë më të madhe në pushtet.

Më tej, Zhugolli në padi ka shkruar se me publikimin e shkrimit “Baballarët e tenderëve në Kosovë”, kompanisë së tij i është shkaktuar dëm shumë i madh moral e material, duke e diskredituar si kompani joserioze.

Sipas Zhugollit, teksti i botuar në gazetë i ka shkaktuar atij edhe pengesa administrative dhe ligjore në sigurimin e kredive bankare, largimin e blerësve potencialë të banesave në kuadër të objekteve banesore afariste, të cilat është duke i ndërtuar kompania “Pejton” në qendër të Prishtinës.

Në fund të padisë Zhugolli ka kërkuar nga Gjykata që të obligohet gazeta ‘Zëri” që Bejtush Zhugollit t’i kompensojë dëmin material dhe jomaterial prej 700 mijë euro për shkak të botimit të shkrimit më 2 prill të këtij viti.

Lënda u procedua brenda 12 ditëve

Njohës të gjykatave në vend thonë se padia e Zhugollit është e çuditshme sesi është shqyrtuar brenda pak ditësh derisa rreth 300-400 mijë lëndë janë duke pritur pa u shqyrtuar me vite.

Avokati Tom Gashi tha se procedurat e përshpejtuar në gjykatë i lënë atij të “besoj” se të gjitha lëndët tjera janë përfunduar dhe i ka ardhur radha padisë e cila është bërë me datën 12 dhe është shqyrtuar brenda pak dite për tu lëshuar vendimi për gjykatë më datën 24 prill.

“Shqyrtimi i padisë me shpejtësinë e dritës ndaj ‘Zërit’ dhe redaktores Arbana Xharra me “gëzojnë” duke me vërtetuar se aq shume paska përparuar sistemi juridik sa qe brenda pak ditësh të shqyrtohet rasti derisa rreth 400 mijë të tjera nuk janë zgjidhur”, ka thënë për gazetën avokati Gashi.

Edhe avokati Nikë Shala thotë se në Gjykatën komunale prej kohës kur bëhet padia e deri në kohën kur ftohet lënda në Gjykatë shkon mbi një vit. “Kështu ndodh në Gjykatën komunale, sepse ka shumë lëndë, ndërkaq në Gjykatën ekonomike saktësisht nuk kam informacione”, tha ai.

Ditë më parë edhe gazeta “Preport” ka shkruar se në vitin 2009 Bejtush Zhugolli ka financuar degën e PDK-së në Pejë me 900 euro.

Pavarësisht se mijëra lëndë me vite presin nëpër sirtarët e gjykatave, padia pronarit të kompanisë “Pejton” Bejtush Zhugolli nuk e ka pasur një fat të tillë.

Zhugolli përmes avokatit të tij Visar Vehapi, më 24 prill, ka paditur gazetën “Zëri” për shkrimin “Baballarët e tenderëve në Kosovës”, por ende pa u bërë një javë gjykata i ka dërguar ftesën gazetës për të marrë pjesë në seancë, e cila do të mbahet më 15 maj.

Gazeta përmes telefonit ka kontaktuar të mërkurën kryetaren e Gjykatës Ekonomike të Prishtinës, Suzana Sejdiu, rreth përshpejtimit të kësaj lënde, por kjo e fundit nuk ka dashur të flasë.

“Unë nuk flas përmes telefonit, por edhe orari i punës për sot ka mbaruar”, tha ajo nëpërmjet telefonit.

Bejtushi financues i PDK-së, vëllezërit përfitues

Gazeta “Zëri” këtë artikull e ka bazuar në dokumentin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YiHR) të vitit 2010, ku thuhet se kompanitë e vëllezërve Mehdi dhe Hilmi Zhugolli, të cilët janë të afërt me vëllezërit e kryeministrit Thaçi, kanë përfituar kontrata në vlerë prej 75 milionë euro nga KEK-u gjatë viteve 2008-2009.

Sipas YiHR, të gjitha këto kontrata të fituara janë njëburimore.

Ndërsa mediet kanë raportuar se Bejtush Zhugolli në vitin 2009 ka financuar Partinë Demokratike të Kosovës, përkatësisht degën në Pejë në vlerë prej 900 euro. Pra, z. Bejtush Zhugolli është përmendur në tekstin “Baballarët e tenderëve në Kosovë” në cilësinë e financuesit të PDK-së së Thaçit, ndërsa vëllezërit e tij si përfitues të tenderëve nga KEK-u.

Gazeta në storjen e lartpërmendur ka publikuar emrat e kompanive, të cilat i posedojnë vëllezërit Zhugolli siç janë: “Pejton”, “Eco-Trade” dhe “ACDS-Kos”.

SHPËRNDAJE