Fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave, paraqet një ditë historike, të bekuar dhe hapje të një kapitulli të ri për Kosovën evropiane, njofton EXPRESS

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me komisioneren për punë të brendshme të BE-së, Cecilia Malmstrom. Megjithëse Kosova ende s’e ka marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, kryeministri Thaçi ka shprehur përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e të gjitha kritereve të kërkuara, posaçërisht për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, emigrimit ilegal, sigurimit të dokumenteve, menaxhimit të kufijve dhe kritereve tjera të nevojshme.

“Definitivisht sot është për Kosovën një lajm i gëzuar. Lajme për Kosovën evropiane. Është një ditë e bekuar për Kosovën dhe gjithë qytetarët e saj. Qeveria e Kosovës e mirëpret fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave. Kjo dëshmon që Kosova është në rrugë të mbarë drejt Bashkimit Evropian. Sot fillon një kapitull i ri për Kosovën, kapitull historik, ai i evropianizimit të Kosovës. Është me rëndësi të ceket se ky proces është i merituar me punën, me këmbëngulësinë e gjithë njerëzve në Kosovë, qeverisë së Kosovës, parlamentit, presidencës gjitha partive politike, shoqërisë civile, mediave. Pra ka qenë një angazhim i përbashkët i shumanshëm dhe i gjithanshëm. Me këtë akt vlerësohet puna e bërë gjitha puna e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e të gjitha kritereve të kërkuara, posaçërisht për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, imigrimit ilegal, sigurimit të dokumenteve, lëvizjen e lirë, menaxhimin e kufijve dhe kritereve të nevojshme.

“Ne premtojmë që gjitha kriteret e nevojshme teknike për liberalizimin e vizave, do t’i përmbushim në një afat rekord. Shpresoj se pas përmbushjes së këtyre kritereve Bashkimi Evropian do të respektoj vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Me rëndësi, sipas tij, mbetet fakti që Kosova po trajtohet njëjtë si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se duhet të respektohen të gjitha kriteret dhe procedurat. Ai ka thënë se Kosova ka lëvizur shpejtë në përmbushjen e disa kritereve, në mënyrë të njëanshme, ndërsa, nga sot, ka edhe zotimin dhe vendimin politik për fillimin e dialogut për liberalizim të vizave.

Ai ka thënë se Qeveri e Kosovës, institucionet e vendit dhe shoqëria civile, do të punojmë maksimalisht që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur dhe se do të ketë vlerësimin real të Brukselit.

Sipas tij, Kosova është e fundit në këtë proces, pasi që është vendi i fundit që ka fituar lirinë.

Ndërsa komisionerja për punë të brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrom, ka thënë se fillimi i dialogut për liberalizim të vizave është zotim politik, që komisioni e bënë së bashku me popullin e Kosovës dhe me qeverinë, për të filluar këtë dialog që ka për qëllim të mënjanoj dhe të heq vizat ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo, sipas Malmstrom, nuk do të ishte e mundur pa punën e madhe të Qeverisë.

“Mund të fillojmë këtë dialog sot. Mjeti për të arritur këtë objektiv politik është që të hartojmë një udhërrëfyes që cakton saktësisht çka duhet të bëhet lidhur me sigurimet e kufijve, emigrimim, luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar. Shumë prej këtyre çështjeve janë në programin e qeverisë. Ne do të punojmë në këtë hartë rrugore ose udhërrëfyes që do të prezantohet së shpejti Qeverisë, pastaj së bashku me gjithë popullin e Kosovës, do të punojmë që të realizojmë këtë. Shumë reforma janë kryer, por ende duhet të bëhen disa reforma”, ka thënë ajo.

Malnmstrom ka shprehur bindjen për entuziazmin dhe përkushtimin e Qeverisë dhe shoqërisë kosovare, në mënyrë që të ecet përpara në këtë rrugë.

Ajo nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë se kur mund të bëhet liberalizimi i vizave edhe për Kosovën, duke pohuar se udhërrëfyesi është ashtu siç është bërë edhe me vendet e tjera të rajonit dhe se duhet ende shumë punë për t’u bërë, mirëpo, ka thënë ajo, ka një përkushtim shumë të madh që të punohet në këtë drejtim.

SHPËRNDAJE