Pas pesë javë alarmi dhe paniku, gjatë së cilës periudhë kanë vdekur 31 persona dhe rreth 3 mijë të tjerë janë infektuar, është gjetur shkaktari i epidemisë nga bakteri E.Coli që ka terrorizuar Gjermaninë, por edhe Evropën.

Sipas burimeve zyrtare gjermane shkak i kësaj epidemie janë bërë filizat e sojës dhe bishtajoreve të tjera si bizelet dhe fasulja, të prodhuara nga kompania “Gaertnerhof” në veri të Gjermanisë.

Njoftimi është dhënë nga Reinhard Burger, kreu i qendrës gjermane për kontrollin e sëmundjeve, të premten në Berlin.

Sipas tij, qeveria gjermane do të tërheqë vendimin për të ndaluar konsumimin e trangujve, domateve dhe sallatës, por do të mbetet në fuqi ai për filizat e sojës.

Burger konfirmoi se kush ka ngrënë filizat e sojës është i ekspozuar 9 herë më shumë se sa të tjerët ndaj epidemisë.

SHPËRNDAJE