Çështja e modaliteteve mbi vendimin për lejimin e miqësoreve për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, do të jetë në rend të ditës në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që do të mbahet më 17 korrik.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga vetë shtëpia e futbollit botëror, e cila në agjendën e saj për këtë mbledhje e ka përfshirë edhe çështjen e Kosovës. Javën e kaluar kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri qëndroi në selinë e FIFA-s me bashkëpunëtorët e tij, me ç’rast u takua me presidentin e FIFA-s, Sep Blater. Pas kthimit nga Cyrihu, kreu i futbollit kosovar deklaroi se për çështjen e modaliteteve KE i FIFA-s do të diskutojë në mbledhjen e shtatorit, ngase në takimin e 17 korrikut do të diskutohej për futjen e teknologjisë në futboll. Mirëpo, duket se vendimi i Bordit të Asociacioneve të FIFA-s, më 4 korrik për futjen e teknologjisë në futboll, ka bërë që çështja e modaliteteve për miqësoret e Kosovës të ketë hapësirën e duhur për t’u futur në agjendën e mbledhjes së 17 korrikut. Të rikujtojmë se KE i FIFA-s mori vendim për t’i lejuar miqësore Kosovës në muajin maj, por zbatimi i këtij vendimi u shty deri në finalizimin e modaliteteve që kanë të bëjnë me këto miqësore.

SHPËRNDAJE