Rainer Milkoreit, nënkryetar i Federatës së Gjermanisë në futboll, është duke vizituar Kosovën. Në takimin që pati me kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri dhe Ministrin e Sporteve, Memli Krasniqi i premtoi ndihmë të vazhdueshme futbollit të Kosovës.

Milkoreit në Prishtinë ateroi me ftesën e të parit të futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Pas takimeve me kryetarin Vokrri dhe me ministrin e Sportit, Memli Krasniqi, mbajtën një konferencë shtypi, ku krahas Milkoreit dhe kryetarit Vokrri ishin të pranishëm edhe legjenda e futbollit gjerman në vitet e 60 e 70-ta, Peter Ducke dhe bashkëatdhetari ynë, Zija Shoshi, i cili e ka ndihmuar FFK-në në vënien e kontakteve me DFB-në.
Kryetari, Vokrri përshëndeti delegacionin e Federatës gjermane dhe e ka falënderuar për mbështetjen e madhe që po i jep futbollit të Kosovës. “Para dy vitesh kam qenë në Gjermani dhe qysh atëherë kam marrë mbështetjen e drejtuesve të DFB-së. Bashkëpunimi i parë me federatën gjermane është jetësuar me mbajtjen e kursit për trajnimin e trajnerëve me licencën C të UEFA-s, që është shumë domethënëse për futbollin tonë. E kemi ftuar z. Milkoreit për vizitë për të parë nga afër zhvillimet e futbollit kosovar dhe ai ka pranuar me kënaqësi edhe ftesën tonë për pjesëmarrje në finalen e Kupës së Kosovës, ndërmjet Trepçës’89 dhe Ferizajt, që zhvillohet më 7 qershor. Shfrytëzoj rastin që në emër të gjitha klubeve dhe tërë punonjësve dhe dashamirëve të futbollit ta falënderoj z. Milkoreit dhe DFB-në për mbështetjen e madhe që po i japin Kosovës”, ka thënë Vokrri. Sipas këtij të fundit në këtë ndeshje pos gjermanit prezent do të jetë edhe ish-këshilltari i presidentit të FIFA-s, Sep Blatter, Jerome Champagne. Andaj Vokrri ftoi adhuruesit e skuadrave finaliste të krijojnë një atmosferë madhështore.
Ndërkaq, Milkoreit tha: “Ne me kënaqësi e kemi pritur ftesën për t’iu ndihmuar në rrugën drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, kurse muajin e fundit e kemi pasur rezultatin e parë në këtë drejtim, pasi KE i FIFA-s vendosi që t’i lejojë Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Por, ne nuk do të ndalemi me kaq, por do të ndihmojmë në vazhdimësi në realizimin e miqësoreve dhe në rrugën për t’u bërë pjesë e këtyre dy asociacioneve. Nuk kam ardhur këtu vetëm për ta thyer këtë status-quo, por për të parë nga afër gjendjen e zhvillimit të futbollit kosovar, si dhe të jem i pranishëm në përmbylljen e licencimit të trajnerëve. Ne jemi të lumtur që FIFA ka marrë vendimin për lejimin e miqësoreve dhe ky vendim do të fillojë të praktikohet së shpejti. Më 4 korrik do të takohet një rreth i ngushtë i drejtuesve të FIFA-s dhe aty do të fuqizohet vendimi për miqësoret”. Më pas ai shtoi se DFB do të ndihmoi në shkollimin e kuadrove të reja. “Bashkëpunimi do të vazhdoi dhe është një proces që do të vazhdojë. Më mjaftoi vetëm një orë qëndrimi në Kosovë për të parë se sa shumë e duan futbollin kosovarët. Kosova ka një popullatë të re dhe ajo duhet të orientohet në sport, përkatësisht në futboll. Po ashtu, apeloj te mediat që të kenë vlerësim pozitiv dhe ta ndihmojnë futbollin e Kosovës në këtë fazë. Personalisht do të mundohem me të gjitha forcat që ta shtyjë përpara procesin e anëtarësimit të FFK-së në UEFA e FIFA”, ka nënvizuar Milkoreit. Ai ndër të tjera ka theksuar se pa votën e Federatës Gjermane nuk do të fitonte Kosova të drejtën për të luajtur ndeshje miqësore, ndërkaq misioni im do të përmbushet kur Kosova do të luajë në miqësore me Gjermaninë.

SHPËRNDAJE