Federata Evropiane e Tenisit ka refuzuar sërish kërkesën e Federatës së Tenisit të Kosovës për anëtarësim në këtë asociacion.
Kryetari i FTK-së, Shkëlzen Domi, nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur se kanë aplikuar për pranim në federatën evropiane më 5 janar, por Bordi i kësaj federate nuk e ka informuar fare FTK-në me vendimet e mbledhjes së 7 shkurtit në Cyrih, ku në rend dite ishte edhe pranimi i FTK-së. “Duke pasur parasysh se Bordi i Federatës evropiane nuk na informoi rreth vendimit në mbledhjen e Zvicrës, më 1 mars i kam dërguar edhe një shkresë Bordit të këtij asociacioni dhe Federatës botërore të tenisit, me ç’rast i informova edhe për situatën e re në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes në Bruksel, për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale me fusnotë. Në këtë shkresë kërkova që Bordi i Federatës evropiane ta merr në konsideratë këtë situatë të re dhe të na pranojnë nën ombrellën e saj me emërtimin ‘Kosova*’. Pas kësaj shkrese në FTK arriti përgjigja nga kryetari i Federatës evropiane të tenisit, Zhak Dupre, ku ashtu sikurse edhe në të kaluarën ai shpreh keqardhje dhe na bën më dije se kjo federatë nuk e mbështet anëtarësimin tonë derisa Komiteti Olimpik i Kosovës të anëtarësohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Mirëpo, në fund të letrës, kryetari i Bordit të Federatës evropiane thotë se shpresojnë se së shpejti do të jetë e mundshme të marrin në konsideratë zgjidhje tjera dhe se do të vazhdojnë ta përkrahin zhvillimin e tenisit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e kryetarit të FTK-së, Shkëlzen Domi. Ai ka bërë të ditur se pas ankesave të FTK-së se refuzimi për anëtarësim është i pabazuar në pikat e Statutit të Federatës Evropiane, kjo e fundit në vitin 2011 ka ndryshuar Statutin e saj dhe tash aty është vendosur si kusht që një federatë e një vendi mund të anëtarësohet vetëm nëse shteti nga vjen është i pranuar në OKB dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

SHPËRNDAJE