Musliu: Shala më poshtëroi, denigrojë dhe cenoj integritetin tim

musliuuFahri Musliu i RTK-së: Mentor Shala më poshtëroi, denigrojë dhe cenoj integritetin tim

Korespodenti i RTK-së në Beograd, Fahri Musliu, ka thënë se i është ndërprerë njëanshëm bashkëpunimi nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala.

Ai ka thënë se edhe pse kishte plotësuar kushtet për pensionim, ishin pajtuar me Shalën që të vazhdonin bashkëpunimin. Ai ka thënë se kjo ka ndodhur në prill të vitit të kaluar, por kur në gusht nuk i kishte dalur rroga, kishte kërkuar të dinte arsyen.

Musliu në një postim në Facebook, tregon se drejtori Shala nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të tij me arsyetimin se nuk kishte kohë.

“Vlerësoj se ky vendim, edhe pse i mbështetur në ligj, (në RTK edhe të tjerë kanë qenë në pension më përpara por kanë punuar me kontratë) më është bërë me qëllim hakmarrje për shkak të kritikave të mia shumëvjeçare për mungesë të profesionalizmit në RTK, prezencës së tepërtë të propagandës, të ndikimit të politikës së qeveritarëve, të prezencës së pjesëatrëve të SHIK-ut dhe të zbehjes së imazhit të televizionit publik tek shikuesit”, shkruan Musliu, transmeton  Zëri

 

Ja edhe reagimi i plotë:

Të dashur miq të Fb, të respektuar lexues, dëgjues dhe shikues të raporteve të mia, të nderuar parlamentarë dhe qeveritarë të Kosovës.

Pas shumë pyetjeve me telefonata, sms, mejla e kontakte që më janë bërë gjatë disa muajve të fundit – “përse nuk jam duke raportuar kohë të gjatë për RTK nga Beogradi”, me keqardhje po ju njoftoj (me pak vonesë për shkaqe shëndetësdore), se shkaku i kësaj është ndërprerja e njëanshme e bashkpunimit nga ana e drejtorit të përgjithshëm të RTK Mentor Shalës dhe trabantëve të tij.

Në fakt në korrik të vitit të kaluar i kam mbushur kushtet për pensionim dhe sipas ligjeve të Kosovës të pushon marrëdhënie e punës, edhe përkundër faktit se jeni në gjendje të mirë për të dhënë edhe më tutje kontributin në profesion, por kjo nuk vlenë edhe për politikanët dhe një kategori të previligjuar të njerëzve në Kosovë.

Qysh në prill të vitit të kaluar e kamë njoftuar drejtorin Shala se në korrik i mbushi kushtet për pension por kemi shprehur interesimin reciprok që edhe pas kësaj ta vazhdojmë bashkëpunimin me anë të kontratës mbi veprën. Duke u nisur nga kjo marrëveshje me gojë, në gusht e vazhdova punën por në fund të muajit nuk më ishte paguar rroga dhe personi i administratës më tha se nuk ka kontratë për vazhdimin e punës. Që nga prilli disa herë jam përpjekur ta kontaktojë drejtorin Shala por ai vazhdimisht ka injoruar çdo thirrje telefonike, sms, emjl apo porosi e disa herë, kur isha në redaksi, ka refeuzur të më pranoj me arsyetimin “nuk kam kohë”, me çka është munduar të më poshtroj, denigrojë dhe cenoj dinjitetin dhe integritetin tim proefsional e njerëzor, gjë që nuk më ka ndodhur kurrë që dikush të tillë sillet ashtu ndaj meje, e që flet edhe për mungesë të edukatës qytetare dhe të përgjegjësisë profesionale e menaxheriale.

Në shtator tek zoti Shala ka ndërmjetësuar një ministër i cili edhe e ka sjellë në postin e drejtorit të RTK, dhe ai i ka premtuar se do të ma vazhdojë kontratën. U takuam dhe serish më premtoj se do ta vazhdojmë kontratën edhe gjatë dy viteve të ardhshme me kushte të reja të cilat ia shtrova dhe më premtojë se do të ma paguaj edhe broxhin e qirasë në disa këste. E vazhdova punën por kontratën për nënshkrim ma dërguan në mejl më 15 nëntor ku shkruante se ajo skadon më 30 nëntor, dhe ajo nuk ishte kontratë mbi vepërn por “Kontratë pune për punë dhe angazhime specifike” (që nuk ekziston në asnjë ligj të ndonjë shteti) me afat prej 120 ditësh gjatë një viti. Duke mos e ditur se ligji i Kosovës nuk parashikon kontratë mbi veprën edhe në dhjetor e vazhdova punën duke dërguar materiale në redaksi të cilat janë botuar në portalin e RTK e jam kyçur edhe në një emision të mëngjesit… Jam përpjekur edhe më tutje ta kontaktojë drejtorin Shala për ta sqaruar pozitën time, dhe duke refuzuar disa oferta tjera, por ai prapë më injoronte duke mos më thënë se do ta vazhdojmë bashkëpunimin a jo.

Më në fund, më 25 shkurt në një sms dërguar zotit Shala mora përgjigje – se “duhet t’i drejtohem shërbimit të administratës”. Në Shërbim më thanë se kontrata nuk mund të vazhdohet se ashtu e ka bërë interpretimin zyra ligjore me çka edhe më pushon bashkëpëunimi im me RTK pas tetë vitesh pune (dhe 30 vitesh raportimi nga Beogradi për Rilindjen, Bujkun, VOA, BBC, Zërin).

Vlerësoj se ky vendim, edhe pse i mbështetur në ligj, (në RTK edhe të tjerë kanë qenë në pension më përpara por kanë punuar me kontratë) më është bërë me qëllim hakmarrje për shkak të kritikave të mia shumëvjeçare për mungesë të profesionalizmit në RTK, prezencës së tepërtë të propagandës, të ndikimit të politikës së qeveritarëve, të prezencës së pjesëatrëve të SHIK-ut dhe të zbehjes së imazhit të televizionit publik tek shikuesit.

Më duhet të ceki se me qëllim të kontributit në informimin direkt, të drejtë, më të plotë dhe objektiv të publikut të Kosovës dhe të diasporës, kam pranuar, me kërkesë të drejtorit Agim Zatriqi që në qershor të vitit 2005, (pas 12 vitesh bashkëpunimi) ta braktisi “Zërin e Amerikës”(kam punuar edhe për BBC), mediume më të fuqishme në botë, të kaloj në RTK dhe atë me kushte të caktuara sa i përket profesionalizmit. që në atë kohë sado kudo ishte në nivel më të mirë. Mirëpo udhëheqësia e re në krye me Mentor Shalën dhe trabantët e tij, që nga viti i kaluar, këtë nuk e ka vlerësuar dhe vendimin e merr në momentin kur intresimi i shikuesve të RTK për informata nga Beogradi (Serbia) është tepër i madh edhe për shkak të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur mediumi publik i Serbisë (RTS) e ka shtuar informimin nga Kosova.

Mburrëm që kam qenë institucion i parë nga Kosova (reporter i RTK) i akredituar, (para tetë vitesh) tek organët e pushtetit të Serbisë dhe gjatë gjithë kohës, edhe pse jam përballur me sfida të mëdha, pengesa e kërcënime fizike, e madje edhe me cenzurime nga disa redaktorë analfabet të RTK (forma e shkurtimit të raporteve apo e injorimit të raportimeve) ia kam dalur të mos bie pre e këtyre maskaralleqeve, ti përmbahem etikës e integritetit profesional, të mos u takoj klaneve të ndryshme dhe ta përfaqësojë RTK dhe Kosovën në mënyrë dinjnitoze, e me këtë edhe ta përmbushi misionin tim prej reporteri profesionist dhe ta arsyetoj pagën që e kam marrë nga taksat e juaja.

Juve shikues të nderuar ju falënderohem për mbështetjen, vlerësimet, kujdesin e brengosjen për shkak të mjedisin nga raportoja, por edhe kritikat që mi keni shprehur në forma të ndryshme, dhe ju uroj shëndet e mbarësi në jetë. Kurse zyrtarëve të Kosovës u rekomandojë që të shfaqin më shumë kujdes për televizionin publik i cili duhet ta përmbush misionin e vet për informim të drejtë, objektiv, të plotë e me kohë dhe pa anime. ngjyrime e ndikime politike.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni