Ndërsa te Reali i Madridit është hapur çështja ‘Ronaldo’, te Barcelona janë shfaqur probleme me Sesk Fabregas. Mesfushori katalanas së fundmi është vënë në qendër të kritikave për rendimentin e tij jo të mirë në ndeshjet e para të këtij sezoni, duke bërë që të hidhet edhe hipoteza e largimit të tij nga Barcelona.

Megjithatë 25 vjecari nuk ngurroi të përgënjeshtrojë të gjitha zërat duke theksuar se asgjë nga cfarë thuhet në median spanjolle nuk është evërtetë.

‘Kjo situatë është tejmase e ekzagjeruar-tha Fabregas në një intervistë për një radio katalanase-dikush sajon lajmin se në drejtimin tim vijnë fërshëllimat e tifozëve dhe që unë nuk ndihem mirë në skuadër. Është krejtësisht e kundërta. Jam shumë mirë si në anën fizike dhe atë psikologjike. Jam te skuadra që kam dashur gjithmonë dhe jam shumë i qetë’

Më pas Fabregas deklaroi se u kthye te Barcelona për të qëndruar për një kohë shumë të gjatë.

‘Gjithnjë kam besuar te instiktet e mia-vijoi Fabregas-u largova nga Barcelona kur isha 16 vjec dhe kur u ktheva isha i ndërgjegjshëm për konkurrencën që do të gjeja këtu. Bëra të pamundurën për te ardhur dhe nuk e bëra për të qëndruar vetëm 1 vit. Dëshira ime është të mbyll karrierën në Kamp Nou.’

SHPËRNDAJE