Një grup tifozësh rusë kanë planifikuar të provokojnë polakët vendas, gjatë ndeshjes së mbrëmjes të Euro 2012 midis Rusisë dhe Republikës Çeke, duke shpalosur një parrullë në të cilën mbi flamurin rus, është vendosur shënimi “Smolensk, 10.04.2010”.

Në afërsi të këtij qyteti rus, në datën e mësipërme, ndodhi aksidenti fatal ajror, në të cilin ish-Presidenti i Polonisë, Lech Kaczynski dhe disa funksionarë të tjerë të lartë gjetën vdekjen.

Lajmin e publikoi e përditshmja polake “Gazeta Wyborcza”, e cila shkruan se rusët kanë planifikuar edhe disa marshe të tjera folklorike, me përmbajtje provokuese ndaj polakëve.

Për këtë arsye, siguria në Vroclav, qyteti ku do të zhvillohet ndeshja është shtuar.

Kreu i një shoqate të tifozëve rusë, Aleksei Lebedev, konfirmoi për të përditshmen sportive “Komsomolets Moskovsky” se planet për këtë provokim kanë nisur të qarkullojnë që prej ditës së mërkurë në disa blogje të tifozerisë.

Nga Moska, Ministri i Sporteve, Vitaly Mutko, i lëshoi një thirrje tifozëve rusë në Poloni dhe Ukrainë që të tregojnë qytetari dhe të bëhen një shembull sjelljeje.

Ndienjat anti-ruse në Poloni janë veçanërisht të forta, për shkak të rivalitetit të hershëm historik, përforcuar nga ndihma që i dha Rusia asgjesimit të shtetit polak (së bashku me Prusinë dhe Austro-Hungarinë) në vitin 1795 dhe pushtimit të përbashkët me Gjermaninë Hitleriane, të vitit 1939.

SHPËRNDAJE