Cesare Prandelli nuk beson se ndeshja Spanjë-Kroaci do të përfundojë në barazim 2-2, rezultat që do të eliminonte automatikisht Italinë edhe në rast fitoreje të thellë të kësaj të fundit në ndeshjen ndaj Irlandës.

“Gjithçka varet nga ne. Duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen tonë. Është e paimagjinueshme që një kombëtare si Spanja që bazohet tek loja e bukur dhe spektakli të programojë paraprakisht rezultatin e një takimi. Ne thjesht duhet të marrim 3 pikë ndaj Irlandës”, theksoi tekniku italian në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotme.

“Është takimi më i rëndësishëm në karrierën time si trajner. Jemi mirë fizikisht dhe do të luajmë me ritëm të lartë”, shtoi Prandelli, i cili do të luajë me dyshen sulmuese Cassano-Di Natale sipas mediave italiane.

Në lidhje me Irlandën, ish-tekniku i Fiorentinës deklaroi: “Kundërshtarët tanë do të luajnë pa presion. Është një ekip luftarak dhe janë të fortë me kokë. Do të kërkojnë medoemos të kënaqin tifozët e tyre.

Ndeshja Itali-Irlandë, e vlefshme për grupin C të EURO 2012, do të luhet sonte në orën 20.45.

SHPËRNDAJE