Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit ka bërë të qartë se të paktën edhe dy vjet do të jetë në Kosovë me kompetencat e plota ekzekutive në fushat që i ka pasur deri më tani. Zyrtarë të EULEX-it i kanë thënë Radio Kosovës se po presin një plan të detajuar nga Brukseli rreth fushëveprimit të mëtejmë të këtij misioni.

EULEX-i konsideron se institucionet e Kosovës janë ende të dobëta për të marrë përsipër disa fuqi ekzekutive që ka aktualisht ky mision.

Zëdhënësi i këtij misioni në Kosovë Ane Blaksma, ka thënë se po presin një plan që po shqyrtohet në Brukesl për platformën e punës së EULEX-it në vitet në vazhdim.

“Aktualisht një rishikim strategjik rreth EULEX-it është duke u bërë në Bruksel, i cili do të përcaktojë misionin EULEX-it për dy vitet që vijnë. Kjo ndoshta do të përfshijë disa bartje të përgjegjësive tek vendorët. Plani do të paraqitet tek shtetet anëtare të BE për një vendim përfundimtar në fillim të 2012”, ka thënë Blaksma.

Zëdhënësi Blaksma, ka theksuar se kalimi i përgjegjësive dhe largimi i EULEX-it mund të vjen vetëm atëherë kur autoritetet e vendit mund të garantojnë sundim të ligjit.

“Pra, sundimin i ligjit në Kosovë duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane. EULEX Kosovë do të largohet gradualisht kur të jenë bërë përmirësime të nevojshme”, ka thënë Blaksma.

Qeveria përmes zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, ka njoftuar se tashmë ka një plan për përfundim të misionit të EULEX-it.

“Me autorizimin e kryeministrit me 11 tetor kemi dërguar një dokument në Bruksel që është një plan konkret për kalimin kompetencave nga EULEX-i te vendorët”, ka thënë Kuçi.

EULEX-i ka numëruar gjithsejtë 200 vendime gjyqësore nga të cilat 45 raste korrupsioni dhe krimi të organizuar, si punë efektive që kur është vendosur në Kosovë.

Viti 2012 sipas paralajmërimeve të këtij misioni do të ketë një platformë të qartë të intensifikimit të angazhimit në sundimin e ligjit në veri të vendit.

SHPËRNDAJE