Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), megjithëse javët e fundit të krijon përshtypjen e përgjumjes, në hetimin e vrasjes së pjesëtarit të njësisë speciale, ROSU, duket se kanë bërë progres.

Shefi i Zyrës për informim në EULEX, Nicholas Hawton, ka konfirmuar për “Zërin” se përpos që tashmë janë mbledhur të gjitha dëshmitë e mundshme për këtë rast, ata tashmë e kanë identifikuar edhe vendndodhjen e gjashtë personave, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e policit Enver Zymeri.

Hawton nuk e thotë nëse ata janë në Kosovë, apo diku jashtë saj. Tashmë dihet zyrtarisht se për gjashtë të dyshuarit janë të lëshuara edhe njoftimet ndërkombëtare për kërkimin e tyre.

“Të gjashtë personat janë në arrati, ndërsa informacioni në dispozicion sa i përket vendndodhjes së tyre, nuk mund t’i bëhet e ditur publikut për shkak të arsyeve operative”, ka deklaruar për “Zërin”, Hawton.

Enver Zymeri është vrarë më 26 korrik, gjatë përpjekjeve të Njësisë ROSU dhe asaj për intervenim të shpejtë, FIT për të marrë nën kontroll pikën e kalimit kufitar, Porta 31 apo Bërnjakun. (Express)

SHPËRNDAJE