Ethet e Euro 2012 godasin Kinën

Mënyra të ndryshme për tërheqjen e vëmendjes së teleshikueseve

Ashtu siç mund të merret lehtë me mend, shikuesit në Kinë nuk janë shumë të interesuar për parashikimin e motit gjatë kësaj vere në Ukrainë dhe Polini. Kjo edhe për faktin se në provincën e Guangdongut ndeshjet e mesditës në Euro 2012 përkojnë me orarin e mesnatës, ndërsa takimet e mbrëmjes me orën 2:45 të mëngjesit.
Me fjalë të tjera, televizioneve kineze u nevojitej një koncept unik dhe krejt original për të tërhequr vëmendjen e teleshikuesve përsa i takon parashikimit të motit.
Nisma ka qenë paksa e pazakontë për një vend relativisht konservator, e megjithatë drejtuesit e një televizioni kanë vendosur të punësojnë vajza që marrin pjesë në konkurset e bukurisë, për të prezantuar motin në vendet bashkë-organizatore të Kampionatit Europian me rroba banje.
Në mënyrë të pritshme, një sondazh i kryer nga gazeta “Populli”, tregoi se 58.5 për qind e teleshikuesve e kanë cilësuar këtë zgjedhje “vulgare”. Kjo ka bërë që drejtuesit e televizionit të vendosin që vajzat të vazhdojnë parashikimin e motit, por këtë radhë me bluza në vend të bikinit.
“Ne kemi pranuar sugjerimet nga njerëzit dhe vendosëm ta ndryshonim paksa idenë e emisionit. Megjithatë, ka shumë nga ata që e përdorin parashikimin e motit thjesht për të bërë zhurmë”, tha një zyrtar anonim i televizionit. Ndërkohë, shikuesit janë ndjerë të fyer për disa arsye, ndërsa kishte edhe nga ata që pretendonin se “të paktën drejtuesit e televizionit mund të kishin përzgjedhur vajza më bukuroshe”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni