Ende pa kaluar 24 orë dhe pa shkuar në Gjykatën e Apelit, dënimi i Erkand Qerimajt, peshngritësit shqiptar që rezultoi pozitiv në evropianin e Antalyas, është ulur në 2 vjet.

Burime të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes thanë se dënimi me katër vjet, por edhe publikimi në ueb faqe pa lajmëruar më parë autoritet shqiptare, është pranuar se është një gabim i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF).

Këshilltarja legale e IWF-së, Monika Ungar ka dërguar tek krerët e Federatës Shqiptare vendimin e panelit të dëgjimit që është mbajtur më 12 maj në Guatemala. Në këtë vendim shihet se Erkand Qerimaj është përjashtuar deri në 22 maj të vitit 2016, datë kjo që më pas është korrigjuar edhe në ueb faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes.

Gjithsesi shkodrani 24 –vjeçar, i kontaktuar në telefon nga Top Channel, ka pohuar se do të vazhdojë me hapat e tij juridikë për të apeluar vendimin.

SHPËRNDAJE