Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media, ka reaguar për kundër, siç e vlerëson ajo, mosveprimit të Qeverisë e ministrive përgjegjëse të saj, por edhe komunat për djegien e pyjeve në vend.

Deputeti i këtij subjekti politik, Liburn Aliu thotë se, bazuar në informacionet e marra nga tereni, nga zjarret janë dëmtuar mbi 3 000 hektarë pyje, nga të cilat mbi 1 300 hektarë pyje cilësore. Zjarret janë evidentuar në komunën e Deçanit, në atë Sharrit, të Ferizajt, Lipjanit, Gjilanit, Dardanës, Besianës, e së fundi edhe në atë të Pejës dhe Prishtinë.

“Përderisa shkatërrimi i pyjeve përmes tenderëve, në emër të pastrimeve nga zjarret, ishte prezent më tepër në komunën e Deçanit, tani, pas dëmeve nga zjarri, edhe pyjeve në Koritnik i kërcënohet shkatërrimi i parë në pjesët e tjera, e kjo përmes tenderëve për prerje”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, fakti që ka pasur keqpërdorime dhe shkatërrim në emër të pastrimit, dhe kjo vit pas viti në mënyrë ciklike, lë dyshime në tërë zinxhirin e menaxhimit dhe, kur kësaj ia shton neglizhencën e kësaj vere, dyshimi merr trajtën e përgjegjësisë qeveritare dhe komunale.

“Deklarimi i ministrit Rexhepi se ‘nuk po ndodh katastrofa’, përkundër deklarimit të KFOR-it se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Qeveria ë Kosovës për ndihmë, mosdërgimi i kurrfarë kërkese për ndihmë nga Qeveria e Kosovës për Komisionin Evropian, kur dihet se ekziston Mekanizmi i Komunitetit për Mbrojtje Civile dhe që ai intervenon edhe në vendet që nuk janë anëtare të BE-së, dhe nga viti 2007 kanë intervenuar në më shumë se 150 raste në botë, kryesisht në shuarje të zjarreve, mospërmendja nga Kryeministri në asnjë nga këta tre muaj e çështjes së shkatërrimit të pyjeve, mungesa e vizitave në terren të ministrave përgjegjës, mungesa e thirrjes dhe e mobilizimit masiv të qytetarëve apo kompanive që mund të ndihmonin vullnetarisht, lë të kuptohet që Qeveria ka toleruar shkatërrimin e një pjesë të pyjeve të rëndësishme të Kosovës”, ka theksuar deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu.

Në fund, ai tha se për këto dëme secila prej ministrive përgjegjëse duhet të japë llogari dhe për përgjegjësit duhet të merren masa. “E njëjta vlen edhe për Agjencinë e Pyjeve, atë të Emergjencave civile dhe komunat përkatëse”, tha Aliu. /Zëri/

SHPËRNDAJE