Më 27 dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli Komunal i Komunës së Preshevës në mbledhjen e 20-të nisi shqyrtimin e një plani kontradiktor aksional.

Në këtë mbledhje që drejtohej nga kryetari i atëhershëm, sot udhëheqës i organit të përkohshëm, Shqiprim Arifi, bëhej shqyrtimi dhe miratimi i Planit Aksional për avancimin e pozitës së migrantëve në Komunën e Preshevës për periudhën 2017-2021.

Tri ditë më vonë, të premten e 30 dhjetorit të vitit 2016 në zyrën e Shqiprim Arifit nis mbledhja e Këshillit Komunal të Preshevës ku në rend dite ishte edhe Plani Aksional. Kjo pikë e rendit të ditës u kundërshtua nga Xhelal Mehmeti, i cili kërkoi që të shqyrtohet edhe një herë, mirëpo Arifi vazhdonte ta shtynte përpara.

Lajmi.net ka siguruar procesverbalin e mbledhje së 30 dhjetorit të vitit të kaluar, ku kundër kësaj pike ishte edhe anëtari tjetër i Këshillit Komunal, Abdurrahman Kamberi, mirëpo kryetarit Arifi këto arsye “nuk i dukeshin objektive”.

Mirëpo, me të hedhur në votim rendin e ditës, nga mbledhja largohen: Abdurrahman Kamberi, Shkëmbim Veliu, Ardita Saqipi, Fahir Sadiku dhe zv/kryetar Xhelal Mehmeti.

Më pas, me 7 vota pro, Këshilli Komunal Aprovon Planin Aksional dhe të njëjtën ia përcjellë Kuvendit Komunal për shqyrtim dhe miratim.

Megjithatë, ky plan del të jetë krejtësisht ndryshe krahasuar me idenë fillestare. Ky plan është kolonizim i Luginës së Preshevës me refugjatë serbë nga Kroacia, Bosnja, Kosova, etj.

Lajmi.net e ka siguruar edhe përmbajtjen e Planit Aksional. Plani pesëvjeçar i “kolonizimit” të Preshevës parasheh që përveç avancimit të pozitës së migrantëve (nga Siria dhe Iraku) që ishte ide fillestare e prezantuar nga Arifi, të avancohet edhe pozita e personave ose refugjatëve të zhvendosur brenda territorit të Serbisë. Pra bëhet fjalë për persona që “janë zhvendosur me dhunë nga shtëpitë e tyre” e që në Serbi konsiderohen serbët e ikur nga Kosova gjatë dhe pas luftës, serbët e ikur nga Kroacia, Bosnja, etj.

“Në kuadër të këtij dokumenti, me refugjatë dhe persona të zhvendosur interno nënkuptohen të gjithë ata persona të cilët kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të migrimit, për shkak të luftërave në hapësirat e ish republikave të Jugosllavisë dhe bombardimeve në Kosovë dhe Metohi, përfshirë edhe ata persona të cilët në ndërkohë e kanë marrë statutin e qytetarit të Republikës së Serbisë”, shkruan nder tjerash në Plan.

Siç shihet edhe me lartë, Shqiprim Arifi pranon që Kosovës t’i referohet me termin “Kosova dhe Metohia”.

Në këtë plan, i gjithi në gjuhën serbe, përmenden edhe 140 persona të zhvendosur nga Kosova nga viti 1999.

Pikërisht ky plan kishte qenë arsyeja e prishjes së koalicionit PVD – APN, koalicionit ndërmjet partisë së ish kryetares Ardita Sinani dhe Shqiprim Arifit, aktualisht kryetar i organit të përkohshëm në Preshevë.

Qëllimet specifike të planit:

Qëllimi specifik 1: Në periudhën nga vitit 2017 deri në vitin 2021 do të vendosen së paku 20 familje të refugjatëve, persona të zhvendosur interno (brenda territorit).

Qëllimi specifik 2: Në periudhën 2017-2021 do të rregullohet cështja e së paku 15 familjeve të refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe të kthyerve, përmes ndarjes së pakove të materialit ndërtimor për adaptim ose ndërtimi i objektit banues.

Qëllimi specifik 3: Në periudhën 2017-2021 ekonomikisht të mbahen së paku 30 familje…

Qëllimi specifik 4: Në periudhën  2017-2021 ekonomikisht të mbahen së paku 10 familje të refugjatëve, personave të zhvendosur dhe të kthyerve me marrëveshje të përfshirë në programin parakualifikues dhe në bashkëpunim me Shërbimin Nacional për punësim, Këshillin për punësim në Preshevë, Zyrën për zhvillim të Komunës së Preshevës dhe organizata joqeveritare, etj.

Ardita Sinani: I papranueshëm Plani Aksional për refugjatët serbë

Ish kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë për lajmi.net se njëra nga arsyet kryesore për prishjen e koalicionit PVD – APN ishte edhe problemi që u krijua lidhur me Planin Aksional Lokal për avancimin e pozitës së migrantëve në territorin e komunës së Preshevës, për periudhën 2017 – 2021.

“Këtë dokument shumë të ndjeshëm dhe problematik kryetari i atëhershëm i komunës, Shqiprim Arifi me procedurë të përshpejtuar pa siguruar materialin, e kaloi në mbledhjen e Këshillit Komunal të datës 30.12.2016 vetëm me votat e 7 përfaqësuesve të APN-së. Gjashtë përfaqësuesit e PVD-së në Këshill Komunal u detyruan ta lëshojnë mbledhjen me që Kryetari i Komunës nuk pranoi që kjo pikë të shtyhet”, ka thënë Sinani.

Edhe pse Plani asnjëherë nuk u procedua në Kuvend, i nënshkruar nga Kryetari i Komunës iu dërgua organeve përkatëse shtetërore, shton Sinani.

“Ky Plan i ndjeshëm dhe problematik që pa asnjë ndryshim u dërgua në nivele më të larta si dokument i komunës, është një çështje e hapur që mund të ketë pasoja të rrezikshme në drejtim të ndryshimit të strukturës etnike të komunës, e posaçërisht kur Shqiprim Arifi u rikthye si kryetar i organit të përkohshëm”, thekson ajo.

Sipas saj, është e papranueshme që komunës së Preshevës t’i imponohet Plani për krijimin e kushteve për refugjatë nga Kroacia, Bosnja, Kosova dhe nga Lindja e Mesme, ndërsa nuk janë krijuar as kushtet elementare për kthimin e njerëzve tanë që me dhunë u detyruan të largohen në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Shqiprim Arifi: Me këtë plan mbrohet substanca kombëtare shqiptare

Shqiprim Arifi, ish kryetar i Preshevës dhe aktualisht udhëheqës i organit të përkohshëm, ka thënë për lajmi.net se Plani Aksional ka qenë kërkesë e organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Sipas tij, ky plan do të sjellë shumë përfitime për Komunën e Preshevës.

Arifi thotë se versioni i parë i miratuar në mbledhjen e parë të Këshillit Komunal ka ndryshuar nga versioni përfundimtar. Megjithatë nuk dihet se çfarë ka ndryshuar, sepse lajmi.net nuk ka arritur ta shoh versionin e dytë.

Ai ka thënë se është krejtësisht manipulativ fakti se ky Plan do ta kolonizojë Preshevën me serbë. “Nuk ka të bëjë fare me kolonizimin e Preshevës, përkundrazi është dekolonizim i asaj pjese”, thekson ai, duke shtuar se është luftë e PVD-së për të ardhur në pushtet.

“Ata kanë qenë në pushtet nga 10 marsi deri më 21 shtator dhe nuk e kanë ndryshuar atë Plan/draft, por tash meqë jemi në fushatë, po e bëjnë të madhe. PVD-ja po ia imponon dhe po e helmon opinionin publik në Kosovë dhe në Shqipëri duke thënë se Presheva po kolonizohet nga serbët. Me këtë fushatë qëllimisht po donë t’i nxisin serbët refugjatë që të kërkojnë të vendosen këtu”, shton Arifi.

Ai ka folur për përmbajtjen e Planit Aksional, në të cilin thuhet se do të ndërtohen shtëpi dhe banesa kolektive për personat e zhvendosur brenda Serbisë nga ish republikat e Jugosllavisë.

“Me këtë plan nuk do të ndërtohen banesa e as shtëpi në Preshevë, sepse nëse vije një kërkesë e tillë ne do ju themi se kushton shumë shtrenjtë ndërtimi i shtëpive këtu, por ja ne do të bashkëfinancojmë ndërtimin e tyre dhe kjo do të bëhet jashtë Preshevës, p.sh. në Tregovishtë”, thotë Arifi.

Ndërkaq i pyetur për mundësinë e ndryshimit demografik të raportit shqiptar-serb në Preshevë dhe në jug të Serbisë në përgjithësi me vendosjen e refugjatëve serbë dhe të zhvendosurve tjerë, Arifi mohon një gjë të tillë. “Nuk ka shanca të rritet numri i serbëve, sepse nataliteti i tyre është në rënie, pra nuk munden assesi t’i dominojnë shqiptarët”.

“Me këtë plan mbrohet vendi, mbrohet substanca kombëtare shqiptare”, përfundon ai.

Reagon edhe Sali Berisha

Për kolonizimin e Preshevës me serbë nga i gjithë Ballkani ka folur sot edhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ai e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për qëndrime albanofobe ndaj shqiptarëve në Preshevë!

“Denoncoj me ashpërsinë më të madhe qëndrimet albanofobe të Aleksandër Vuçiq dhe Edvin Kristaq Ramës ndaj shqiptarëve të Preshevës. Në këtë periudhë mjalti midis këtyre të dy zyrtarëve me të lartë të vendeve respektive, regjimi i Vuçiq ka ndërmarrë masa anti-shqiptare ndër më të egrat që ka njohur Presheva, Medvegja e Bujanovci ndonjëherë në historinë e tyre. Ai synon ripopullimin e këtyre trevave të pastra shqiptare me refugjatë nga territore të tjera të Ballkanit dhe jo vetëm të Ballkanit. Për këtë qëllim, në dhunim të ligjeve, Kushtetutës dhe të gjitha konventave ndërkombëtare, regjimi i Vuçiq ka zëvendësuar udhëheqësit legjitimë të shqiptarëve të Preshevës me vasalë të tij, të cilët arrijnë të marrin vetëm në një mbledhje 50 e ca vendime të diktuara që të gjitha nga Beogradi, të miratuara plotësisht nga Edvin Kristaq Rama, i cili është i angazhuar në një betejë për jeta a vdekje për ekzistencën e tij në mbrojtje të trafiqeve të tij, të aferave të tij skandaloze”, ka thënë Berisha. /Lajmi.net/

Procesverbali i mbledhjes dhe Plani Aksional

 

 

SHPËRNDAJE