Ekrem Kryeziu: Kosova nuk vuajti nga serbët, por nga platformat shtetërore

Filmi-Kodi-i-Jetes-nga-Ekrem-Kryeziu

Është shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës “Kodi i jetës” i regjisorit Ekrem Kryeziu. Regjisori kosovar e ka shfrytëzuar këtë moment për të bërë thirrje kundër harresës së kësaj dhimbjeje, duke akuzuar institucionet shtetërore për neglizhencë.

 

Në ditën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës u shfaq filmi “Kodi i jetës” i regjisorit Ekrem Kryeziu. Një film haptazi kushtuar luftës së Kosovës, përzier edhe me përjetimet personale të regjisorit. Ngjarjet zhvillohen në vitet 1998-’99. Nuk ka beteja, por ka dhembje, ka pushkatime, ka groposje, ka hedhje të kufomave në liqen dhe këto janë të lidhura me fatin e personazheve, të cilët gjatë gjithë kohës kërkojnë qetësinë dhe lumturinë e vetes. Mundohen ta gjejnë në një pjesë të qiellit, ku nuk bien plumba. Është një film që niset nga metafora globale ringjalljes, sepse personazhi kryesor, një njeri që i pushkatojnë familjen e që përpiqen ta pushkatojnë edhe atë, fatmirësisht shpëton dhe del nga dheu me të cilin e kishin mbuluar. Gjatë konferencës për shtyp, i prekur, regjisori nuk ka ngurruar të tregojë edhe përjetimet personale të kësaj lufte. “Për 15 minuta serbët na kërkonin të dilnim nga shtëpia dhe ta bastisnim. Unë bashkë me familjen time, tre djemtë dhe mbesat kemi ikur, ndërsa një prej djemve të mi nuk e di sesi ka shpëtuar nga pushkatimi”, ka treguar regjisori. Ai ka përsëritur faktin që historia duhet treguar ashtu siç ka ndodhur, që të mos përsëritet në mënyrën më të keqe të saj. “Bota thotë se duhet të pajtoheni dhe kjo më duket normale, sepse unë nuk dëshiroj të prish raportet e shteteve në Ballkan. Unë e di se Kosova deri sa të ekzistojë bota do ta ketë Serbinë fqinje dhe ne nuk mund ta fshijmë Serbinë si fqinjen tonën, por asnjë sekondë nuk duhet të mbyllim sytë para asaj që ka ndodhur në Kosovë dhe ka ndodhur pikërisht falë atyre që kanë dashur të na zhdukin. Populli që harron çfarë ka përjetuar, i përsëritet historia për të keq”, ka theksuar Kryeziu. Premiera e filmit të tij në Kosovë u prit me kritika jo për temën, por për realizimin artistik, ndërkohë që Kryeziu mori mjaft kohë për realizimin e tij, duke pretenduar mungesën e mjeteve të mjaftueshme financiare. Dje në Durrës, ai ka fajësuar edhe njëherë institucionet shtetërore për atë që ka ndodhur dhe për një harresë të asaj dhimbjeje të madhe. “Por populli nuk harron. Bota nuk para e honeps atë dhimbje, por unë filmin e kam bërë për shqiptarët, jo për botën. Që pas pushtimit otoman gjithë drejtuesit kanë gjetur mënyra nga më të ndryshmet ta shtypin Kosovën. Ne kemi qenë viktima të një gjenocidi shtetëror që ka vijuar. Në asnjë sekondë unë nuk denoncoj popullin serb, por akuzoj platformat shtetërore. Gjithashtu theksoj se nuk e ka fajin populli për këtë katastrofë ku e ka çuar shteti. Këtë kam dashur t’i them botës gjithashtu përmes këtij filmi. Ndërsa ndihem i zhgënjyer që ambasadori i Kosovës në Tiranë nuk gjeti kohë për të qenë prezent në festival, ndryshe nga çka ndodhur me ambasadorin serb, francez etj., të cilët kanë ardhur për të përkrahur filmat e tyre në konkurrim”, ka thënë regjisori. Regjisori ka shpalosur historinë e dhimbshme të Lan Druvarit, të shpëtuarit gjallë nga pushkatimi dhe i Marijes, i cili ikën nga kamioni me kufoma ku, pasi e kishin dhunuar dhe rrahur për vdekje, e kishin hedhur edhe atë, duke e menduar të vdekur. Në ikje e sipër, Marija gjen një foshnjë të gjallë pranë nënës së vrarë. Lani, Marija dhe foshnja, në kërkim të familjarëve të humbur, ballafaqohen me tmerre të pafund. Edicioni i pestë i festivalit do të mbyllet sot me një ceremoni çmimesh. O. Lila


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni