Sipas Komitetit për mbrojtjen e gazetarëve, në Egjipt janë arrestuar 24 gazetarë. 21 reporterë janë sulmuar. Pesë herë reporterëve u janë marrë pajisjet e punës. Sipas njoftimeve të pakonfirmuara gjatë protestave në Kajro një gazetar është rrahur për vdekje. Përveç kësaj në Kajro policia ka arrestuar punonjësit e huaj të organizatave që luftojnë për të drejtat e njeriut Amnesty International dhe Human Rights Watch. Ministrja e Jashtme amerikane Hillari Klinton dënoi sulmin mbi gazetarët. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon kritikoi si “të papranueshme”përpjekjet për të frikësuar gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut dhe kërkoi ndalimin menjëherë të tyre.

Protesta në Egjipt me moton “Dita e Largimit”

Protestuesit në Egjipt që kërkojnë largimin e presidentit Hosni Mubarak bënë thirrje për protesta në mbarë vendin në ditën që e quajtën “E Premtja e Largimit”.

Kryeministri i ri Ahmed Shafik tha se ministri i brendshëm nuk do të duhej t’i pengojë marshimet e sotme paqësore pas faljes të së premtes.

Por, Departamenti amerikan i Shtetit tha se pret konfrontime.

Mubarak tha dje se ai dëshiron që të largohet, por druan se dorëheqja e tij mund të sjellë kaos në Egjipt.

Komentet e tij në televizionin amerikan u bënë në kohën kur Senati i Shteteve të Bashkuara njëzërit e miratoi rezolutën, ku i bën thirrje Mubarakut që të formojë një qeveri kalimtare, e cila do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve deri në fund të vitit.

Shtëpia e Bardhë tha se është duke i diskutuar me egjiptianët “mënyrat e ndryshme” për të shkuar drejt tranzicionit paqësor.

E përditshmja “Nju Jork Tajms” raportoi se zyrtarët amerikanë janë duke zhvilluar bisedime me zyrtarët egjiptianë që Mubaraku të largohet menjëherë.

Ndërkohë, në rrugët e Kairos, mbështetësit dhe kundërshtarët e Mubarakut u përleshën përsëri të enjten, ndërsa u raportua se edhe gazetarët kanë qenë në shënjestër të sulmeve të ithtarëve të Mubarakut.

Dy gazetarë, njëri nga Greqia, dhe tjetri nga Suedia, janë plagosur me thikë.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se 24 reporterë janë arrestuar në 24 orët e fundit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs i denoncoi raportet për “sulmet sistematike” të gazetarëve.

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton gjithashtu lëshoi kritika të rrepta.

“Është përgjegjësi e qartë e qeverisë së Egjiptit, përfshirë ushtrinë, që t’i mbrojë ata që janë të kërcënuar, dhe të kërkojë llogari nga përgjegjësit për këto sulme. Qeveria e Egjiptit duhet të demonstrojë gatishmërinë e saj për t’u siguruar gazetarëve mundësinë që t’i raportojnë për ngjarjet popullit të Egjiptit dhe botës”, tha Klinton.

Mediat e huaja u vunë në shënjestër pas nënpresidenti Omar Sulejman i fajësoi të huajt për nxitje të protestave.

Në një përpjekje për t’i ulur tensionet, Sulejman tha se Vëllazëria Myslimane është ftuar që të marrë pjesë në dialogun kombëtar me të gjitha partitë.

Hapi i tij pasoi kërkim faljen që Shafik e bëri për dhunën e së mërkurës, që la 10 të vdekur.

Kreu i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillai, tha se deri 300 njerëz mund të kenë vdekur në trazirat.(v.p.)

SHBA dhe propozimi për dorëheqjen e menjëhershme të Mubarakut

Njoftohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë filluar bisedimet me zyrtarët egjiptianë për një propozim për dorëheqjen e menjëhershme të Presidentit Hosni Mubarak, ndërkohë që protestuesit anti qeveritarë përgatiten për demonstrata të tjera ditën e sotme në Egjipt, të cilën e quajnë “dita e largimit” të udhëheqësit egjiptian.

Gazeta “The New York Times” , shkruante në numrin e saj të djeshëm se në bazë të këtij plani Mubarak do t’ia kalojë pushtetin një qeverie kalimtare të kryesuar nga nënpresidenti Omar Suleiman, e cila do të mbështetet nga ushtria egjiptiane.

Gazeta shkruan se propozimi parashikon gjithashtu që qeveria kalimtare të ftojë anëtarë nga shumë grupe opozitare, përfshirë Vëllazërimin Mysliman, të fillojë punën për hapjen e sistemit zgjedhor të vendit me synimin për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në muajin shtator.

Artikulli përmban citime nga zyrtarë të administratës Obama dhe të diplomatëve arabë, të cilët kanë thënë se propozimi është një prej disa opsioneve që po diskutohen me zyrtarët egjiptianë, përfshirë edhe zotin Mubarak, megjithëse jo drejtpërdrejt, në përpjekje për ta bindur atë të japë dorëheqjen tani.

Egjipti do të kalojë nëpër një tjetër provë sot, ndërsa demonstruesit që përpiqen të përmbysin zotin Mubarak do të mblidhen pas lutjeve të mesditës për “t’i vënë gozhdën e fundit arkivolit ku do të mbyllet regjimi”.

 

 

 

 

SHPËRNDAJE