Edita Tahiri: Serbia,Kosovën kusht për BE

Prishtinë, 22 qershor  – Dialogu Kosovë – Serbi synon përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe po ashtu i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka thënë zëvendëskryeministrja dhe kryenegociatorja e Kosovës,  Edita Tahiri, në Forumin për dialog, organizuar nga “Projekti për Marrëdhënie Etnike”, ku merrnin pjesë shqiptarë dhe serbë nga Kosova.

Në këtë forum ku u diskutua për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Tahiri tha se normalizim i plotë i marrëdhënieve arrihet pas njohjes reciproke të dy shteteve, duke shtuar se efekt tjetër i rëndësishëm është edhe rëndësia e qasjeve evropiane në dialog, raporton KosovaOnline.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka theksuar se ka përparime substanciale që nga fillimi i këtij dialogu që kanë të bëjnë për çështjet në fushën e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, energjisë dhe çështjet e telekomunikacionit.

“Vijat e kuqe për të cilat nuk do të bisedohet janë statusi i Kosovës, integritetit territorial i Kosovës, i cili është i pacenueshëm. Po ashtu, rregullimi i brendshëm i Kosovës është çështje e sovranitetit të institucioneve të Kosovës”, tha Tahiri.

Sipas saj, bashkëpunimi evropian është shumë i rëndësishëm dhe se për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia e ka kusht ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në forum morën pjesë përfaqësues të Parlamentit, opozitës, si dhe shoqërisë civile në Republikën e Kosovës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni