Qeveria e Kosovës tha se bisedimet me Serbinë do të zhvillohen si dy shtete të pavarura dhe sovrane, ashtu si me të gjitha shtetet tjera fqinje. Sipas Prishtinës zyrtare, dialogu do të përqëndrohet në zgjidhjen e problemeve praktike, në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve. Bisedimet e para pas pavarësisë me palën serbe, sipas zyrtarëve kosovarë, janë vlerat dhe standardet evropiane.

Caktimi i udhëheqëses së delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë bëhet dy ditë pas miratimit të qeverisë së re të Prishtinës. Kohë më parë edhe Serbia ka emëruar kryesuesin e saj për bisedime me Prishtinën, drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme, Borko Stefanoviq. Bisedimet mes palëve pritet të fillojnë shumë shpejt. Ato u zvarritën për shkak të procesit të gjatë zgjedhor në Kosovë, që vonoi krijimin e institucioneve të reja.

Agjenda e dialogut nuk është bërë e ditur, por zyrtarët në Bruksel kanë thënë se u takon palëve që të vendosin për çështjet që do të diskutojnë. Beogradi kërkon që të rihapet çështja e statusit, gjë që kundërshtohet fuqishëm nga Prishtina. Ndër çështjet e ndjeshme që pritet të diskutohen është edhe ajo e veriut të Kosovës, ku serbët vazhdojnë të sfidojnë institucionet e Kosovës. BE-ja, në cilësinë e lehtësuesit të dialogut Prishtinë-Beograd, ka mirëpritur gatishmërinë e palëve për bisedime dhe ka shfaqur shpresën për suksesin e tyre.

SHPËRNDAJE