Edhe Skenderbeun duan të na marrin !

R. GIOVANNI BELLUSCIO

“Flamujt dhe shtetet e botës”, botim i vitit 2011, nga shtëpia botuese “Touring Editore”, nën kujdesin e Claudio Troia-s. Kërkoj flamurin shqiptar dhe filloj të lexoj në faqen 17, që i kushtohet Shqipërisë. U shtanga nga një sërë pasaktësish dhe gabimesh trashanike që fillonin me shpjegimin toponomastik sipas të cilit Shqiperia (e shkruar me e dhe jo me ë) vjen nga fjala shqipe “shqiponjë”, pra vendi i shqiponjave. Dihet që nuk është pikërisht kështu, kjo duhet konsideruar lectio facilior, e hedhur poshtë nga gjuhëtarët, sipas të cilëve Shqipëri, shqiptar (e) nuk lidhen me shqiponjën, por me ndajfoljen shqip, d.m.th. flas shqip – flas qartë. Kështu, emri i vendit dhe i banorëve (Shqipëri, shqiptarë) tregojnë ata që flasin qartë, që kuptohen. Por është e kuptueshme që qasja me shqiponjën ka një efekt më shumë folklorik, meqë është simbol i flamurit. Më tej lexoj: “Heroi kombëtar me origjinë serbe, Gjon Kastrioti (Skënderbeu)”. Si mos të habitesh para kësaj gafe të madhe historike. Dihet që Gjoni ishte babai i Gjergjit dhe ky i fundit u quajt Skënderbe, monumenti i të cilit ngrihet madhështor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në Prishtinë, por edhe në Romë, në sheshin “Albania” (Shqipëria).

Origjina e pagjasë serbe e Skënderbeut është diskutuar gjerësisht dhe është hedhur poshtë. Përveç serbëve, edhe grekët janë çimentuar në tentativën për të ndryshuar kombësinë e Gjergj Kastriotit tonë. Të gjitha këto tentativa jo vetëm që nuk kanë asnjë bazë historike, që të justifikojnë pozicione të tilla ultranacionaliste, por edhe nuk mund të kundërshtojnë dhe të vënë në diskutim faktet e pamohueshme dhe të sakta historike. Ata që ende sot vazhdojnë të dyshojnë për shqiptarësinë e Skënderbeut, ose nuk kanë aspak respekt për studimet e bëra për argumentin në fjalë, ose janë pjesë e axhendave të caktuara politike, që herë pas here lulëzojnë në Ballkan. Tentativa e parë për të “serbizuar” Skënderbeun daton më 1368-n, kur Charles bisht, ku përmendej “Branilo Kastrioti” që sipas tij mund të ishte stërgjyshi i Gjergjit dhe kjo thjesht, sepse ai nuk mori parasysh lidhëzën “i” që ndante një farë Branilo (emër kristiano-sllav) nga Vlora me një Kastrioti nga Kanina (cfr. Harry Hodgkinson, Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero, Londra 1999, p. 124, nota 7).

Në librin “Flamujt dhe shtetet e botës” Skanderbeg vazhdon të jetë Skanderberg (pra me – r, kjo për asonancë me shumë –berg gjermanë dhe skandinavë) dhe kjo bëhet palë me citimin që i bën botuesi emrit të princit të Shqipërisë së pavarur (1912) Guglielmo di Wield ose Wilhelm von Wied (1877 – 1946). “Risia” më e madhe u përket gjuhëve që fliten në Shqipëri; është e vërtetë që gjuha e vendit është shqipja, por pohimi që greqishtja është gjuha tjetër që flitet më shumë, nuk është i vërtetë. Në zonat në kufi me Greqinë, greqishtja përdoret në raportet e përditshme, por nëse do të duhej të caktonim një gjuhë të dytë për shqiptarët, atëherë më e përhapura – dhe ndoshta në vend të parë – do të ishte italishtja, si për numrin e madh të emigrantëve në këto 20 vitet e fundit, por edhe për përhapjen e kanaleve televizive italiane. Në fakt, pothuaj shumica e shqiptarëve flasin mirë italisht (por edhe gjuhë të tjera të huaja). Edhe nëse shqiptarët do të ishin të gatshëm të pranonin greqishten si gjuhë të dytë, është shumë e sigurt që asnjë nuk do të pranonte origjinën e pretenduar serbe të heroit kombëtar, as gati një milion banorët e Tiranës (në libër thuhet se në kryeqytet banojnë rreth 350 000 banorë), aq më pak shqiptarët e Kosovës, shteti më i ri i Ballkanit i shpallur më 2008-n, me të cilin Shqipëria kufizohet në Veri – Lindje (dhe jo me Serbinë, siç thuhet në botimin e shtëpisë botuese “Touring”). Nëse pasaktësi të tilla dhe kaq të shumta do të ketë dhe për flamujt dhe shtetet e tjera, për të cilat nuk jemi në gjendje të japim një vlerësim, atëherë Touring do të duhej të nxirrte një ribotim të ri. *Universiteti i Kalabrisë, Itali
Përktheu: Genta Nishica Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni