New York, /RTK 21 prill – Ambasadorët e shteteve perëndimore hodhën poshtë kërkesën e Serbisë për krijimin e një gjykate ad-hoc për hetim të akuzave për trafikim të organeve, sipas raportit të Dick Martyt, njofoti RTK.  Letra e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremic, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, kishte për qëllim hapjen e një shtegu të ri të akuzave rreth Kosovës, sërish të përqendruara dhe të ricikluara në akuzat që i ka nisur politika serbe dhe i ka ripaketuar përmes senatorit zviceran, Dick Marty të mbështetur nga lobi prorus në Këshillin e Evropës.
Serbia edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, të mbajtur në muajin shkurt, kur u shqyrtua raporti tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm mbi zhvillimet në Kosovë, kishte pikërisht këtë qëllim, çorientimin e diskutimit ku flitej për rajonin dhe ‘mandatimi i një hetimi të ri nga organi ekzekutiv i Kombeve të Bashkuara, pra nga Këshilli i Sigurimit’.

Sipas RTK, ambasadorët e shteteve perëndimore hodhën poshtë kërkesën e Serbisë për krijimin e një gjykate ad-hoc për hetim të akuzave për trafikim të organeve, duke thënë se misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe sundim të ligjit, EULEX, tashmë i kishte filluar hetimet preliminare dhe se e kishte mandatin dhe aftësinë ta bëj këtë.

“EULEX-i ka mandat të plotë të hetojë këto krime. Nuk mendoj se duhet të krijohet një mandat ad-hoc ndërkombëtar për hetime kur ekziston një i tillë”, tha përfaqësuesja amerikane, ambasadorja Rosemary DiCarlo.

Ambasadori i Francës, Gerard Araud tha se “akuzat mbi trafikim organesh ishin hetuar më parë dhe nuk kishin dhënë rezultate”, ndërkaq ambasadori i Britanisë së Madhe, Sir Mark Lyall Grant, tha se vendi i tij “nuk besonte se duhet një mandatim i ri nga Këshilli i Sigurimit për hetime”.

Edhe ambasadori i Gjermanisë, Peter Wittig tha se “EULEX-i kishte kapacitet dhe juridiksion dhe se një trup ad-hoc nuk do t’i shërbente një hetimi të shpejt”.

Kërkesën e Serbisë e mbështeti vetëm ambasadori rus, Vitalij Churkin, kur kërkoi krijimin e një mekanizmit hetues, i cili do t’i përgjigjej Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mediat e Beogradit kanë raportuar sot se Zyra e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së e ka marrë propozimin e Serbisë për hetimin e trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. “Mund të konfirmojmë se e kemi marrë këtë letër. Ajo do të publikohet si dokument zyrtar i Këshillit të Sigurimit brenda disa ditësh”,  citon Beta Vanina Maestraçi nga Zyra e sekretarit Ban Ki Moon, por ajo nuk ka mundur ta saktësojë se kur do të mundet KS ta diskutojë, pasi programi i saktë i këtij organi caktohet në fillim të muajit.

SHPËRNDAJE