Pas shumë  debateve dhe mangësive lidhur me botimin e abetares së mëparshme pasi që i mungonin simbolet kombëtare dhe radhitja jo e mire e shkronjave alfabetike, një abetare vërtet mbarëkombëtare tashmë ka arritur edhe në Luginë të Preshevës, e cila i ka entuziazmuar shqiptarët e Luginës, veçmas nxënësit e klasave të para të këtij rajoni.

 

Metali Krasniqi

 

Luginë e Preshevës, 23 gusht
Ndaj këtë vit shkollor nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës që fillojnë klasën e parë, do të jenë të barabartë me të gjithë nxënësit e trojeve shqiptare të cilët do të mësojnë me të njëjtën Abetare. Ky libër është i kompletuar dhe i shpallur zyrtarisht në Prizren nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ai Kosovës Hashim Thaçi.
Duke e vlerësuar si një moment historik, Abetaren gjithëkombëtare kryeministri Berisha e quajti margaritar të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Edhe prefekti i Preshevës, Ragmi Mustafa gjatë prezantimit të abetares, ka thënë se ky është një moment historik pasi kjo kryevepër shqiptare po kurorëzohet në duart e fëmijëve edhe me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar.
Ky tekst disa ditë pas promovimit të tij arriti edhe në Luginë të Preshevës. Arbër Pajaziti shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit arritjen e Abetares mbarëkombëtare  në Luginë të Preshevës e cilësoi si rast historik.
Edhe profesori i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Begzad Abdullahu, duke shprehur entuziazmin e tij për shpërndarjen e kësaj kryevepre mbarëkombëtare, e vlerësoi shumë këtë Abetare, e cila siç tha ai, është shumë praktike, më e përshtatshme.
Shpërndarja dhe dorëzimi i Abetares mbarëkombëtare nëpër shkollat fillore të komunës së Bujanocit është mirëpritur edhe nga drejtuesit e shkollave fillore. Ata janë shprehur se kjo të jetë një vepër shumë e madhe dhe i falënderojnë të gjithë ata që punuan dhe u angazhuan, që ky  libër të vijë edhe në rajonin e Luginës se Preshevës.
Do theksuar se në komunën e Bujanocit janë dhuruar gjithsej 300 Abetare së bashku  me abetare pune, ndërkaq për  komunën e  Preshevës 400 ekzemplarë.
Më 24 prill ishte përzgjedhur teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Teksti ka katër autorë, dy nga Shqipëria, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj si dhe dy nga Kosova, Islam Krasniqi dhe Saranda Kumanova Pozhegu.
Ndërkaq, Abetarja mbarëkombëtare vjen në një vit historik me 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, e ku do ta kenë në duart e tyre edhe  nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

SHPËRNDAJE