Medvegjë, 2 gusht – Klubi i Vendlindjes” Trojet”, nga Medvegja, ka shprehur brengosje dhe indinjatë të thellë për ngjarjet dhe dhunën e fundit, që po ushtrohet në veri të Kosovës nga strukturat jo-legjitime serbe, të nxitura dhe të financuara vite me radhë nga Qeveria e Beogradit.

Vendlindjes” Trojet”, nga Medvegja,  me seli në Prishtinë, përkrahin pa rezervë masat e ndërmarra të Qeverisë së Republikës së Kosovës për bllokimin e veprimeve të strukturave ose të grupeve kriminele, paramilitare e të mbeturinave të ish-pushtetit diktatorial të Milosheviqit, dhe aplikimin e masave për zbatimin e ligjit dhe të rendit kushtetues dhe të reciprocitetit e barazisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Po ashtu, përkrahim përpjekjet dhe veprimet e Këshillit të Sigurimit, të KFOR-it dhe të BE-së, që edhe në këtë pjesë të Kosovës së pavarur më në fund të sundojë ligji dhe drejtësia, ku të gjithë qytetarët e saj, pa dallim kombësie, të gëzojnë të drejta dhe obligime të barabarta”, thuhet në komunikatën e Klubit të Vendlindjes” Trojet”, duke i ftuar njëkohësisht qytetarët serbë që të zhbllokohen nga “bindjet” e sëmura të trashëguara dhe të kultivuara me shekuj nga shteti dhe kisha serbe, t’i kthehen realitetit, normalitetit dhe mos të mbeten peng i miteve dhe të ëndrrave të sëmura, që në Ballkan kanë shkaktuar shumë vuajtje, mjerim, gjakderdhje, ku edhe populli serb ka përjetuar, e po përjeton fatkeqësi”.

“Këtë e kemi përjetuar në mënyrë të dhimbshme edhe ne banorët shqiptarë të Medvegjës gjatë shumë dekadave, që tani si pasojë e një politike të sëmurë e gjenocidiale serbe jemi shpërndarë anembanë botës, pa shpresë që të kthehemi në trojet tona stërgjyshore”, theksohet në komunikatë.

Deri më tani, sipas Klubit të Vendlindjes ”Trojet”, pushteti “demokratik” i Beogradit për pesë mijë (5000) shqiptarët e Medvegjës, të shpërngulur me presione e dhunë, dhe për më shumë se dhjetë mijë (10. 000) shqiptarë nga Presheva e Bujanoci, po ashtu të përndjekur, nuk ka shprehur kurrfarë interesimi dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për krijimin e kushteve të kthimit të tyre në trojet e veta. / Koha.Net

SHPËRNDAJE