Edhe 72 orë fushatë në Maqedoni

 

Kanë mbetur më pak edhe se tre ditë në dispozicion për fushatën e partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit në Maqedoni.

Partitë politike këto tre ditë do të mbajnë takimet ndër më kryesoret në qendrat e vendit si dhe kanë intensifikuar aktivitetet për të tërhequr votuesit. Shtabet partiake bëjnë të ditur se në ditët e fundit do të përqendrohen për tubimet dhe aktivitetet më masive me elektoratin dhe në zonat më të rëndësishme.

Fushata zgjedhore për shkak të zgjedhjeve të parakohshme zgjat vetëm 20 ditë dhe se në garën zgjedhore janë 20 parti politike dhe një listë e pavarur qytetare.

BDI sot do të mbajë tubimin qendror në Shkup, nesër në Gostivar dhe të premten në Tetovë. PDSH sot do të mbajë tubimin e radhës në Gostivar, nesër në Tetovë si dhe tubimin e fundit në Shkup.

Agjenda e RDK-së parasheh sot tubimin në Tetovë, nesër në Shkup dhe pasnesër në Gostivar si tubim qendror. BDSH do të vijojë takimet intensive me qytetarët në zonat zgjedhore 2 dhe 6 me tubime dhe aktivitete tjera, duke i dhënë fund fushatës me një tubim në Tetovë. DR sot do të mbajë tubim në Gostivar, nesër në Strugë dhe tubimin e fundit në Shkup. Edhe PPD vlerëson se ka intensifikuar takimet dhe fushatën në ditët e fundit, por duke zgjedhur modelin e takimeve me qytetarët dhe forma të tjera të fushatës. BDK gjithashtu vlerëson se ka arritur që të realizojë takime intensive me qytetarët dhe do të vazhdojë ato deri në ditën e fundit, por se fushatën do ta përmbyll kjo parti me miting kryesor në sheshin e Shkupit, raporton INA.

30 parti politike kanë nënshkruar javën e kaluar Kodin e Sjelljes gjatë zgjedhjeve parlamentare, pas apelit për sjellje korrekte zgjedhore nga SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe OSBE-ja. Të drejtë vote kanë 1 821 122 qytetarë të Republikës së Maqedonisë të evidentuar në listën e vetme zgjedhore. Për herë të parë do të votojë edhe diaspora, ku do të zgjidhen tre deputetë të diasporës në SHBA-Kanada, Evropë dhe Australi-Azi.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni