Struktura e kadetëve të regjistruar sivjet në akademinë ushtarake “Gjenerali Mihaillo Apostollski” në Shkup përfaqëson multietnicitetin e vendit dhe është e bazuar në cilësi dhe profesionalizëm. Kështu u shpreh ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi, duke shtuar se prej gjithsej 41 kadetëve të regjistruar që sot dhanë betimin, 10 nga ta janë shqiptarë.

Besimi gjithashtu tha se 31 kadetë do të mbeten në shërbim të ARM-së, kurse 10 të tjerë do të shërbejnë në Qendrën për Menaxhim me Krizat dhe në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, raporton Alsat-M.

“Nga numri i përgjithshëm që janë në akademinë ushtarake në pjesën e ARM-së dhe këta të tjerët numri i të cilëve është 41 ku prej tyre 10 janë shqiptarë. Për dallim prej viteve tjera kjo strukturë këtë vit është më reprezentative sipas përbërjes së popullatës në Maqedoni, mirëpo ajo që është me rëndësi në gjithë këtë procedurë kemi pasur parasysh përfaqësimin e drejt dhe adekuat por duke e respektuar cilësinë e kandidatëve, prandaj përfaqësimi i drejt dhe adekuat do të realizohet plotësisht”, tha Besimi.

Kadetët e rinj thonë se janë të kënaqur nga fakti që janë pranuar për studime në këtë akademi ushtarake.

“Për mua paraqet një nder të veçantë këtu sot të jap betimin se do të mbrojë këtë vend dhe gjithashtu kjo paraqet një përgjegjësi të madhe pasi neve na pret një punë, një përkushtim shumë i madh”, deklaroi Abdulla Halili, kadet.

Këtë vit akademik në Akademinë Ushtarake u regjistruan edhe katër kadetë nga Mali i Zi. Nga viti i ardhshëm, ministri Besimi tha se mundësi regjistrimi do të kenë edhe studentët nga Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Serbia, Kosova dhe Shqipëria.

SHPËRNDAJE