Akuzat e para u bënë nga emisioni “60 minuta”, i televizionit CBS, në të cilin u tha se shumë nga episodet kryesore të librit të Greg Mortensonit, ishin të fabrikuara, ndërsa dyshimet janë hedhur edhe në marrëveshjet financiare të Mortensonit.

Libri “Three Cups of Tea” (Tri gota çaji), përmban tregimin se si Greg Mortenson kishte rënë në dashuri me rajonin malor të Pakistanit dhe Afganistanit dhe kishte ngritur një fond humanitar të quajtur Instituti i Azisë Qendrore – fond ky që në vitin 2006 kishte arritur vlerën e 50 milionë dollarëve.

Sipas hulumtimit të bërë nga Radio Evropa e Lirë, Greg Mortenson ka adhuruesit dhe akuzuesit e tij.

Një nga ata që e akuzojnë është Mansur Kan Mahsud, një studiues dhe hulumtues pashtun i Pakistanit që thotë se ai po mendohet nëse do ta hedhë në gjyq Mortensonin, pasi ky i fundit e ka akuzuar familjen dhe komunitetin e tij se e kanë mbajtur peng.

“Absolutisht, ne e hedhim poshtë këtë akuzë. Ai ka gënjyer pasi ai ka qenë mysafir yni, ndërsa ne vërtet jemi kujdesur për të. Ne e kemi dërguar atë për të vizituar rajone të ndryshme në tërë vendin. Ai ka bërë shumë fotografi dhe video gjatë udhëtimeve ku e kemi dërguar ne. Ju mund t’i shihni ato fotografi në CBS dhe CNN, në të cilat shihet duke e mbajtur një armë derisa qëndron në këmbë. Ai ishte mysafir yni , ndërsa ne i kemi ofruar mikpritjen tonë ashtu siç e do edhe tradita pashtune”, thotë Kan për Radion Evropa e Lirë.

Në librin “Tri gota çaji”, Kan përshkruhet si një komandant i ardhshëm i talibanëve, mirëpo në kohën kur Greg Mortenson ka shkruar librin, në Vaziristan nuk ka pasur talibanë.

Pavarësisht kësaj, kidnapimi i një amerikani do të kishte qenë një ngjarje e rëndësishme në Pakistan, ndërsa mbajtja peng e Mortensonit nuk është raportuar asnjëherë.

Filantropi nuk ka pranuar t’i përgjigjet kërkesës së Radios Evropa e Lirë për intervistë, mirëpo në përgjigjen e dërguar me shkrim për emisionin “60 minuta”, Mortenson ka përsëritur pretendimin se ka qenë i kidnapuar.

“Po, unë jam mbajtur i burgosur për tetë ditë në Vaziristan në vitin 1996. Isha i mbajtur kundër dëshirës time; ata më morën pasaportën dhe paratë e mia. Nuk kam qenë i keqtrajtuar apo i lënduar, mirëpo në të njëjtën kohë nuk jam lejuar të largohem”, ka thënë Mortenson në përgjigjen që mund të lexohet edhe në ueb-sajtin e Institutit të Azisë Qendrore.

Sidoqoftë, Radio Evropa e Lirë ka gjetur disa përkrahës që e lavdërojnë Mortensonin për punën e tij. Një nga ta është politikani vendor në veriun e Pakistanit, Imran Nadim Shigri, i cili më parë e ka kundërshtuar ashpër punën e tij.

“Ai ndoshta kishte për qëllim që të tërheqë donatorët dhe të gjenerojë fonde. Pra, ai shkroi duke e pasur këtë gjë në mendje dhe për këtë arsye gjërat u ekzagjeruan. Nuk po them se çkado që ka shkruar ai, është e gabuar, mirëpo jo çdo gjë është 100 për qind e saktë”, thotë Shigri.

Ndërsa, guvernatori i një zone të Afganistanit, Gul Zaman, tregon me raste konkrete për shkollat që ka ndërtuar Greg Mortenson.

“Në Sau, edhe djemtë, edhe vajzat përfitojnë nga shkollat, pra përafërsisht 700 – 800 studentë vijojnë mësimet në to. Në zonën Samarak mësimet vijojnë 200 – 300 studentë po aq sa ka edhe në Sana Gala”, tregon Zaman.

Një përkrahës tjetër i punës së filantropit amerikan është edhe gazetari pakistanez, Ahmed Rashid, i cili e pranon se mund të ketë pasaktësi në shkrimet e Mortensonit, mirëpo puna e këtij të fundit, sidomos sa i përket shkollimit të vajzave në Afganistan është “fenomenale”. (a.h.)

SHPËRNDAJE