Pas dështimit në eliminatoret e Euro 2012, Kombëtarja shqiptare nuk arriti të japë shenja ‘jete’ as në dy miqësoret e fundit kundër Azerbajxhanit (0:1) dhe Maqedonisë (0:0).
Megjithatë, trajneri Dzemal Mustedanagiç ka vlerësuar paraqitjen e futbollistëve të Kombëtares shqiptare në miqësoren e luajtur në Prilep përballë Maqedonisë. Madje boshnjaku , ka vlerësuar edhe potencialin e skuadrës.
Trajneri i përfaqësueses U-17, i cili i njeh mjaft mirë të rinjtë që kanë detyrën të zëvendësojnë të larguarit Lala, Skela e Duro, beson se selektori i ri i Shqipërisë do të ketë në dispozicion një grup mjaft cilësor.
“Pas dy ndeshjeve të fundit miqësore me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë, mund të them se Shqipëria ka një grup të mirë lojtarësh, të cilët kanë mjaft potencial. Trajneri i ri që do të drejtojë përfaqësuesen do të ketë në dispozicion futbollistë me shumë perspektivë”, ka theksuar Xhemo, i cili në mungesë të selektorit, drejtoi ekipin kuqezi në dy miqësoret e fundit.
Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ka arritur ta gjejëpasardhësin e Josip Kuzes. Për ta zëvendësuar këtë të fundit po përmenden shumë emra të trajnerëve të huaj.

SHPËRNDAJE