Më shumë se 2 300 sirianë janë dyndur në Turqi në 48 orët e fundit, informuan burime zyrtare ditën e premte.

Shifra u publikua pasi kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban ki-Moon, paralajmëroi për një përshkallëzim të krizës.

Kjo është dyndja më e madhe që prej fillimit të konfliktit përpara më shumë se një viti, ndërsa bilanci asnjëherë nuk i kishte kaluar një mijë të shpërngulur në ditë.

Sipas emigrantëve, të cilët janë sistemuar në kampe provizore të ngritura pranë kufirit, me mijëra të tjerë janë nisur dhe pritet të kalojnë në territorin turk brenda orëve të ardhshme.

Sipas aktivistëve, në sulmin e autoriteteve është vendosur të premten edhe kryeqyteti, me forcat ushtarake që po bombardojnë periferi të Damaskut.

Një armëpushim që parashikon tërheqjen e trupave nga qytetet kryesore duhet të hyjë në fuqi në datën 10 prill. Megjithatë, sipas ekspertëve, regjimi i al-Assad po ndërrmer një sulm të fundit brutal, në përpjekje për të shtypur kryengritësit, përpara se ushtria të rikthehet në kazerma.

OKB ka dërguar një delegacion në Damask për të negociuar mundësinë e vendosjes së grupeve monitoruese në vend, në mënyrë që të mbikqyrin planin e armëpushimit, por nuk dihet nëse autoritetet do të kenë vullnetin për të pranuar diçka të tillë.

Ditën e enjte, kryeministri Recep Tayyip Erdogan, në një takim me kryeministrin Berisha në Ankara, sulmoi ashpër regjimin sirian, duke përsëritur akuzat ndaj vendeve perëndimore, që sipas tij nuk kanë bërë mjaftueshëm për zgjidhjen e krizës.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, mbi nëntë mijë persona kanë humbur jetën që prej fillimit të konfliktit, ndërsa mbi 42 mijë emigrantë janë shpërngulur në Turqi, me qindra mijëra të tjerë që janë shpërngulur nga banesat e tyre brenda Sirisë.

SHPËRNDAJE