By

TIRANE, 25 Janar/ATSH/- Iniciativa e Qeverisë kineze “Një brez , një rrugë”, gjatë vitit 2017 do të jetë e fokusuar tek media dhe mundësitë për të rritur komunikimin në këtë  fushë në kuadër të projektit 16 + 1 për vendet e Europës Juglindore.

Për të identifikuar mundësitë që ofron ky bashkëpunim dhe oportunitetet që ka, ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri,  Jiang Yu priti sot në një takim të veçantë Drejtorin e Përgjithshëm të ATSH-së, Gëzim Podgorica.

Zoti Podgorica duke e falenderuar  zonjën  Jiang Yu për pritjen, e uroi njëkohësisht edhe për Vitin e Ri kinez i cili këtë vit festohet me 28 janar, mbështetur mbi  kalendarin tradicional kinez. Këto festime tregojnë  edhe për traditat  shumë  të pasura dhe të lashta, si dhe dëshmojnë  për pasurinë  shumë dimensionale kulturore të popullit  kinez .

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën më tej në bashkëpunimin që ka  Agjencia Telegrafike Shqiptare me  agjencinë kineze të lajmeve, Xinhua si dhe me seksionin shqip të radios së jashtme të Kinës ( CRI ).Takim i drejt.pergj te ATSH me ambasadoren e Kines. (1)

Zoti Podgorica duke four për mundësitë e  thellimit të këtij bashkëpunimi, nënvizoi  faktin se gjatë këtij viti që Qeveria e Republikës Popullore të Kinës me projektin “Një brez, një rrugë”  i ka dhënë  një vëmendje të shtuar rolit dhe funksionit të medias , janë të gjitha mundësitë që komunikimi të rritet dhe ATSH të jetë pjesë e projekteve konkrete dhe të rëndësishme të cilat bëjnë të mundur që dy agjencitë, po edhe media të tjera me të cilat jemi në komunikim, të  sjellin më afër  interesat  e publikut dhe realitetet në zhvillim të dy vendeve.

Komunikimit shumë të mirë politik , – tha ndër të tjera zoti Podgorica, duhet t ‘i përgjigjet edhe një komunikim mediatik  më  intensiv dhe më i gjërë. Kohët e fundit është rritur ndjeshëm shkëmbimi i informacionit me CRI , megjithatë publiku i te dy vendeve ka nevojë për më shumë informacion në të gjitha fushat.

Takim i drejt.pergj te ATSH me ambasadoren e Kines. (3)Duke u ndalur në  mundësitë e bashkëpunimit, drejtori i ATSH-së  shprehu mendimin  se ato janë të gjëra dhe të mëdha, duhet jo vetëm vullnet i cili ekziston, por edhe një koordinim më i mirë i komunikimit për të sjellë në kohë  dhe në shumë plane  informacionet që të dy vendet mund të shkëmbejnë.

Nga ana e saj, ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës Jiang Yu, falenderoi bashkëbiseduesin për  komunikimin e hapur dhe vlerësoi ecurinë e deritanishme të  bashkëpunimit midis institucioneve  dhe mediave shqiptare me mediat  kineze. Në  mars të këtij viti, tha zonja Jiang Yu, do të nënshkruhet edhe marrëveshja midis CRI dhe ATSH , marrëveshje që tregon se  bashkëpunimi midis institucioneve mediatike shqiptare dhe kineze  është në rrugë të mbarë.

Vitin e kaluar , theksoi më tej ambasadorja, janë nënshkruar  8 marrëveshje bashkëpunimi midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë, gjë që tregon për një vullnet  mjaft pozitiv të dy vendeve tona. Marrëveshja që  pritet të nënshkruhet midis  ATSH dhe CRI në Tiranë është  një tjetër rast i konfirmimit të këtij vullneti pozitiv. Ne e vlerësojmë punën dhe rolin e institucionit tuaj, tha  në  vazhdim  ambasadorja Jiang Yu, pasi ATSH është  një referencë serioze mediatike dhe një dritare e hapur komunikimi.Takim i drejt.pergj te ATSH me ambasadoren e Kines. (2)

CRI  jep në mënyrë të vazhdueshme lajme nga Shqipëria të cilat kanë burim ATSH-në dhe kjo bën të mundur që  përmes radios së jashtme të Kinës të krijohet një dritare komunikimi për popullin kinez.

Unë mendoj, vijoi më tej zonja Jiang Yu se duke dhënë një informacion të zgjeruar e konkret për  mundësitë që ofron Shqipëria në fushën e biznesit dhe të turizmit, tërhiqet vëmendja e investitorëve kinezë për të qënë prezent në Shqipëri, ndaj  bashkëpunimi dhe roli juaj në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm.

Duke folur për historinë e marrëdhënieve  midis Kinës dhe Shqipërisë dhe komunikimin e tanishëm, ambasadorja Jiang Yu, vuri në dukje faktin se ato janë shumë pozitive, të ngrohta e  me interes reciprok dhe Kina do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë  në të gjitha fushat, me synim që  ajo të ecë  me ritmin e duhur e tí përgjigjet sa më mirë sfidave të integrimit europian.

/a.g/

SHPËRNDAJE