Nga data 6 deri më 9 dhjetor të këtij viti, në Paris të Francës, në “Shtëpinë e Evropës dhe Orientit” do të bëhet një prezantim dinjitoz i dramaturgjisë shqipe. Teki Dervishi, Kasëm Trebeshina dhe Jeton Neziraj janë tre dramaturgë shqiptarë, dramat e të cilëve do t’i prezantohen shikuesit francez, në një organizim të “Maison d’Europe et d’Orient” nga Parisi.

Ky lloj minifestivali i dramaturgjisë shqipe në Paris hapet me datë 6 dhjetor në MEO (Shtëpia e Evropës dhe Orientit) me prezantimin e dy dramave të Jeton Nezirajt të përkthyera në frëngjisht. Drama e parë “La Guerre au temps de l’amour” , përkthyer nga Anne-Marie Bucquet, do të prezantohet nga regjisori francez Philippe Lanton dhe teatri i tij “Compagnie LE CARTEL”. Drama e dytë “L’Effondrement de la Tour Eiffel”, e përkthyer nga Arben Bajraktaraj, do të prezantohet nga regjisorja franceze Florence Bermond dhe teatri “Compagnie La Louve Aimantée”, me aktorët: Marie-France Alvarez, Christophe Chene, Simon Pitaqaj, Jutta Wernicke-Sazunkiewizc e Arben Bajraktaraj.

Mbas këtyre dy prezantimeve, do të ketë edhe një debat në të cilin, veç ekipës, do të jetë i pranishëm edhe dramaturgu Jeton Neziraj. Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që Neziraj i prezantohet publikut francez. Ai aktualisht është duke qëndruar në Paris në një bursë për shkrimtarë të ndarë nga “Region Ile-de-France”.

“Natyrisht, është prezantim i rëndësishëm. Jam i lumtur që dramat e mia kanë filluar t’i prezantohen edhe publikut francez. MEO është institut francez serioz dhe ky prezantim është rezultat i angazhimit të madh të tyre”, ka thënë Neziraj.

Ndërsa, më 8 dhjetor do të prezantohet një video-projeksion i shkurtër nga Selam Hajrizi, që i kushtohet Teki Dervishit. Po këtë mbrëmje do të prezantohet edhe drama e Dervishit “Au seuil de la desolation”, e përkthyer nga Anne-Marie Autissier dhe Arben Bajraktaraj, produksion i “Compagnie HELLOI” me regji të Arben Bajraktaraj, e me muzikë të Vlashent Sata.

Ndërsa, më datë 9 dhjetor para publikut francez do të prezantohet drama “La Forêt” e dramaturgut Kasëm Trebeshina, e përkthyer nga Anne-Marie Autissier.

SHPËRNDAJE