Kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës, Skender Destani, ka thënë se deklarata e fundit e ministrit të Brendshëm serb Ivica Dacic – se për arrestimin e serbëve do të marrë masa reciproke për “arrestimin e shqiptarëve që kërcënojnë rendin juridik të Serbisë” – ndikon negativisht në gjithë rajonin.

Destani ka thënë për mediat e Beogradit se deklarata e Dacicit ka shqetësuar të gjithë shqiptarët në Preshevë dhe në Bujanoc.

I pyetur nëse arrestimet e fundit të serbëve në Kosovë dhe shpallja e masave të ndërsjella mund të ndikojë negativisht në marrëveshjet e arritura në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Destani thotë se pa asnjë komplikim të ri këto marrëveshje janë kundër interesave të shqiptarëve nga Lugina.

“Është vetëm një pjesë e marrëveshjes nga e cila do të përfitojnë shqiptarët që jetojnë në Preshevë dhe Bujanoc, e kjo ka të bëj me njohjen e diplomave të Universitetit të Prishtinës. Çdo gjë tjetër është kundër interesave të shqiptarëve, sidomos tarifat për hyrje në Kosovë. Por, për këtë askush nuk na ka pyetu, as Beogradi e as Prishtina”, ka thënë Destani, për të cilin këto tarifa pothuajse i kanë izoluar shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“E njëjta vlen edhe për bizneset të cilat më herët ishin të drejtuara në tregun e Kosovës, e tash nuk mund të shkojnë përtej Vranjës”, thekson Destani. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE