Kryeministri kujton se aktet madhore në lirinë e shqiptarëve mbajnë firmat e Presidentëve amerikanë

“Pro-amerikanizmi i shqiptarëve do të zgjasë për sa kohë të jetojë ideali i lirisë së tyre”. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha ishte i pranishëm dje pasdite në pritjen e dhënë nga ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, me rastin e 20-vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë. Duke përshëndetur të pranishmit, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë ngjarje, si më të rëndësishmen në historinë e dy vendeve dhe kombeve, si dhe i shprehu ambasadorit Arvizu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA, qeveria dhe kombi amerikan i kanë dhënë Shqipërisë në momentet më të rëndësishme historike. Berisha shprehu krenarinë e shqiptarëve që janë miq të kombit amerikan. “Çdo shqiptar është krenar me proamerikanizmin e tij, ndjenjë kjo e rrënjosur në lirinë e tyre dhe që do të zgjasë për sa kohë të jetojë ideali i lirisë së tyre. Një mirënjohje të veçantë qeverisë suaj, Presidentit Obama për ndjenjat miqësore dhe mbështetjen e madhe që i jep Shqipërisë. Ne jemi një komb i vogël dhe është në bindjen time më të thellë se gjëja më e madhe që ne mund t’i ofrojmë kombit tuaj në shenjë mirënjohjeje dhe respekti është ndërtimi dhe konsolidimi i atyre vlerave të mëdha, të cilat kanë bërë kombin amerikan, më të madhin, më të fuqishmin, më të ndriturin në botë. Ne jemi shumë krenarë në miqësinë që kemi ndaj jush dhe në ndjenjat tona miqësore ndaj kombit tuaj”, u shpreh Berisha. Në fjalën e tij të mbajtur përpara të pranishmëve në këtë ceremoni, Kryeministri shprehu mirënjohje edhe për misionarët e parë diplomatikë. “Zoti ambasador, do ta mbyll këtë fjalë, duke shprehur një mirënjohje shumë të thellë për misionarët e parë diplomatikë të 20 viteve më parë, mikun e shquar të kombit shqiptar Chris Hill dhe mikun tjetër të madh, ambasadorin Rajerson, të gjithë paraardhësit tuaj dhe ju zoti ambasador, por dhe për qindra e qindra burra e gra, djem dhe vajza të kombit tuaj, që me përkushtim të madh ndihmuan Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë jam dëshmitar i asaj kohe, kur vendi ngjante me një akullnajë të vërtetë dhe era e lirisë do të shkrinte një e nga një akujt e këtij vendi. Ekspertët, specialistët, punonjësit tuaj në të gjitha fushat dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm”, u shpreh Berisha. Ndërsa shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar, Berisha u shpreh se, në kohën kur të tjerët vendosën të fshinin shqiptarët nga harta ishte Presidenti Uillson ai që i mbështeti shqiptarët në rrugën e pavarësisë. “Në këtë 20-vjetor, sigurisht që ka një bilanc, por e pamundur që ta përqendrosh atë në 20 vite. Të gjitha vendimet e Presidentëve të vendit dhe të qeverisë suaj në 90 vitet e fundit janë vendime që kanë të bëjnë direkt me ekzistencën e lirë të shqiptarëve, me pavarësinë e tyre. Në një kohë kur të tjerët vendosën ta fshinin nga harta Shqipërinë, ishte Presidenti Willson, lisi, në të cilin siç do të thoshte Noli, kombet e shtypura kanë ndërtuar foletë e lirisë, që do të hidhte poshtë me përçmim këto plane dhe do të mbështeste shqiptarët në rrugën e pavarësisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët luftuan në një koalicion me vendin tuaj të madh, por ranë në diktaturën më çnjerëzore. Presidenti Truman mori të gjitha vendimet për t’u treguar shqiptarëve se ai dhe qeveria e tij do të bënin ç’ishte e mundur për lirinë e tyre. Por, zoti ambasador, ka dhe një moment shumë të veçantë të 20 viteve më parë. 20 vjet më parë qarkullonte një ide se Shqipëria mund të mbetej dhe si ‘Kuba e Ballkanit’. Shqiptarët i lëndonte shumë kjo ide, por të këtij mendimi nuk ishin Presidenti i SHBA-ve dhe qeveria juaj. Ky ishte mesazhi i madh që solli Sekretari i Shtetit Baker në Sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, se për ju shqiptarë liria do të funksionojë dhe funksionon”, theksoi Berisha. Gjithashtu Kryeministri u ndal në ndihmën që SHBA i dha Shqipërisë në kalimin e regjimit të diktaturës. Ai shtoi se në vitin 1991 Presidenti Bush dhe Sekretari Beker sollën mesazhin e lirisë, ndërsa më vonë Presidenti Klinton udhëhoqi Aleancën e Atlantikut, duke theksuar se Presidenti Bush në komunitetin ndërkombëtar kryesoi në pavarësinë e Kosovës. “Shqiptarët patën rastin t’i dëshmojnë kombit tuaj dhe mbarë botës në pranverën e vitit ’91 se vërtet ambasada e SHBA-ve pushoi së funksionuari gjatë viteve të egra të diktaturës, por kjo ndërtesë gjeti strehë të plotë në zemrën dhe mendjen e shqiptarëve. Pritja e jashtëzakonshme që shqiptarët i rezervuan Sekretarit të Shtetit, James Baker, më e madhja dhe më e zjarrta që ata i kanë rezervuar ndonjëherë ndonjë miku të shquar në këtë tokë, dëshmoi se aspirata e tyre e lirisë ishte një me dashurinë dhe respektin e tyre për SHBA-të, ndihmën dhe kontributin e tyre në lirinë e shqiptarëve. Në vitin ’91 Presidenti Bush dhe Sekretari i Shtetit Baker sollën mesazhin e lirisë për shqiptarët. Presidenti Bill Klinton udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut në çlirimin e shqiptarëve nga një regjim barbar. Presidenti Xhorxh Bush udhëhoqi komunitetin ndërkombëtar në pavarësinë e qeverisë së Kosovës. Presidenti Barak Obama firmosi anëtarësinë e Shqipërisë në NATO. Të gjitha këto janë akte madhore në lirinë e shqiptarëve”, theksoi Berisha. Më pas, pritja vijoi në një ceremoni, ku ishin të pranishëm politikanë, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të medias, etj.

SHPËRNDAJE