Doli në shtyp Fjalori Historik i Kosovës në gjuhën angleze

BOTIME TE REJA:

(AIK-Presheva Jone)

Para pak javësh në ShBA doli në shtyp libri i ri i albanologut Robert Elsie, “Historical Dictionary of Kosovo” (Fjalori Historik i Kosovës). Ky vëllim prej 451 faqesh është vepra e parë informative dhe gjithëpërfshirëse për Kosovën në gjuhën angleze. “Ky botim i dytë i Fjalorit Historik të Kosovës, i rishikuar dhe zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme, i jep lexuesit informacione më të fundit për Kosovën dhe popullin e saj deri në mes të vitit 2010, duke përfshirë kështu periudhën e administrimit ndërkombëtar deri te shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, dhe më tej’, thuhet në hyrje të tij. Kosova është një tokë e lashtë, por që mediumet dhe bota perëndimore në të vërtetë e ‘zbuluan’ vetëm gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990 të shekullit të kaluar, fillimisht thjesht si një re tjetër e zezë që u shfaq në horizont, diku përtej Bosnjës. Që prej atëherë, u vërshuan një varg botimesh brenda një kohe relativisht të shkurtër, pjesa më e madhe e të cilëve fokusoheshin tek lufta e Kosovës e viteve 1998-1999, shtypja e tmerrshme politike dhe gjendja tejet e rëndë e të drejtave të njeriut nën regjimin serb, kriza humanitare dhe ushtarake që u shkaktua si pasojë e tyre, çështja shumë e kontestuar e statusit dhe pavarësisë, si dhe politika ndërkombëtare që lidhej me të. Pavarësisht nga gjithë kjo vëmendje dhe nga prania e institucionalizuar e bashkësisë ndërkombëtare që prej vitit 1999, Kosova ende nuk është fort e njohur si vend. Ky vëllim vjen disa muaj pas vëllimit tjetër, Historical Dictionary of Albania (Fjalori Historik i Shqipërisë), libër ky prej 660 faqesh dhe me 750 zëra me të njëjtën autor. Të dy librat po përkthehen dhe do të dalin së shpejti në gjuhën shqipe. Albanologu Robert Elsie është autori i 60 librave, kryesisht për Shqipërinë dhe për shqiptarët.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni