Dobruna: Spiunët, me kënaqësi do t'i vrisja

 

Sokol Dobruna, ish udhëheqësi i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, ka folur sërish për të kaluarën e tij, veprimtarinë e organit që ka udhëhequr dhe arrestimet gjatë luftës. Gjatë një interviste në Klan Kosova, Dobruna mbrëmë ka folur për rastin Kuçi, duke thënë se ai shpëtoi nga ekzekutimi pasi në kohën e fillimit të bombardimeve të NATO-s nuk kishte ushtarë sa duhej për ta kryer ekzekutimin dhe nuk mund të arrihej efekti juridik.

Sipas tij, dosja Kuçi i është dorëzuar Hagës. 70 vjeçari Dobruna, me profesion jurist që jeton në Gjakovë, ka folur edhe për rastin e një të arrestuari shqiptar, ish-drejtori i Burgut të Vushtrrisë, Sherafedin Ajeti, për të cilin ka thënë se ishte spiun por nuk di çfarë ka ndodhur me të gjatë luftës dhe ka dëgjuar se është vrarë.

“Nuk ka pas kurrfarë vendimi për të. Po të kishte proces gjyqësor kundër tij, me kënaqësi e kisha pushkatu. Me dorën teme e kisha kry këtë”, ka thënë shprehimisht Dobruna, duke folur edhe për babanë e Ajetit që ishte ndër bashkëpunëtorët e Millosheviqit.

Në fund ai është ndalur edhe në dëshmitarin X, në rastin e Kleçkës që ka thënë se e njeh mirë. Për një moment ka përmendur nofkën Komandant Murrizi, ndërsa ka thënë se ai nuk ka mund të bëjë asgjë pa urdhrat e tij.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni