Do të hetohen 188 zyrtarë për pasurinë

 

Në Shqipëri, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka hedhur shortin e përvitshëm përmes të cilit janë mësuar emrat e 188 zyrtarëve të cilëve ky inspektoriat do t’i kontrollojë pasurinë. Pak përpara hedhjes së shortit ambasadori OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth nënvizoi se lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri është një prej prioriteteve të prezencës së OSBE-së.

“Nga disa raporte përfshi atë më të fundit nga Komisioni Evropian të gjithë ne e dimë që korrupsioni mbetet një problem dominues, në shumë sektorë pavarësisht paraqitjes së një sërë masash nga qeveria. Zgjedhjet mundësojnë që votuesit të ngrihen kundra korrupsionit duke treguar zero tolerancë. Në këtë kontekst do të ftoja qytetarët në të gjithë vendin, të heqin dorë nga tradita shqiptare e pasjes së një besnikërie të verbër ndaj partive. Në vend të kësaj, përdorni 8 majin, si një mundësi për të hedhur votën tuaj për kandidatët lokalë që të demonstrojnë një angazhim të fortë të transparencës dhe të parimeve të tjera të Qeverisjes së Mirë”, u shpreh Wollfarth.

Prej zgjedhjes rastësore përmes kompjuterit nga lista e 4,692 zyrtarëve që kanë deklaruar pasuritë janë përzgjedhur ata të cilët duhet t’i kalojnë pasuritë e deklaruara në sitën e ILDKP-së. Numri më i madh i të përzgjedhurve nga shorti ishin nga Drejtoria e Tatimeve, Doganave, me 44 persona prokuroria 14 dhe gjykatat 22 persona. Shorti nuk prodhoi emra, në rang ministrash, apo udhëheqësish të partive, por vetëm ato të deputeteve Edi Paloka, Luan Skuqi dhe Aldo Bumçi nga Partia Demokratike, si dhe Qemal Minxhozi, Ermonela Felaj, Gjokë Jaku dhe Tomë Doshi nga Partia Socialiste.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni